Ndihma prej 90 miliardë euro për Ukrainën-Gjermania dhe Holanda përplasen me Francën

Gjermania dhe Holanda janë përplasur me Francën mbi ndihmën prej 90 miliardë euro armatim armerikan për Ukrainën në luftën e saj ndaj Rusisë.
Vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord për këtë ndihmë jetike për Kievin gjatë samitit të Këshillit Evropian në dhjetor, por ato duhet ende të negociojnë kushtet formale të financimit pas propozimit të Komisionit Evropian të mërkurën.
Kjo ka krijuar negociata të tensionuara me Parisin, i cili po udhëheq përpjekjen për të penguar që paratë të shkojnë në Uashington, mes një plasaritjeje në rritje në aleancën transatlantike, raporton Policito.
Nga ana e tij, presidenti francez Emmanuel Macron dëshiron t’i japë trajtim preferencial kompanive ushtarake evropiane për të forcuar industrinë e mbrojtjes së bllokut – edhe nëse kjo do të thotë që Ukraina nuk mund të blejë menjëherë atë që i nevojitet për të mbajtur larg forcat ruse.
Shumica e vendeve, të udhëhequra nga qeveritë në Berlin dhe Hagë, argumentojnë se Kievi duhet të ketë më shumë liri në shpenzimin e paketës financiare të BE-së për të financuar mbrojtjen e tij, sipas dokumenteve të pozicioneve të shikuara nga Politico.
Këto fërkime po arrijnë kulmin pas viteve të debatit mbi përfshirjen e Uashingtonit në programet e blerjeve të mbrojtjes së BE-së.
Ndarjet janë përkeqësuar që kur presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me marrje ushtarake të Groenlandës.
“Gjithashtu, Ukraina ka nevojë urgjente për pajisje të prodhuara nga vende të treta, veçanërisht sistemet e mbrojtjes ajrore dhe interceptorët e prodhuara në SHBA, municione dhe pjesë këmbimi për F-16, si dhe kapacitete goditëse të thella,” shkroi qeveria holandeze në një letër drejtuar vendeve të tjera të BE-së.
/rtsh.al/