Ndreu: Prishen ndërtimet rreth kanalit kullues në Balldren

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Sistemimi i kanaleve vaditëse dhe kulluese në fshatrat e bashkisë së Lezhës ka rritur produktivitetin e tokave bujqësore.
Ndërhyrja e fundit po kryhet në Balldren, duke u ardhur në ndihmë fermerëve të zonës.
Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu ndau sot në rrjetet sociale momente nga ndërhyrja për zhbllokimin e një segmenti të kanalit të dytë më të ngarkuar në Balldren, i cili sipas tij, ka qenë i bllokuar prej 35 vitesh nga ndërtime pa kriter.
“Me ndërhyrjen që po bëhet dhe prishjen e ndërtimeve po mundësohet kullimi i rreth 7 ha tokë bujqësore, si dhe i oborreve dhe vreshtave të 25 familjeve”, u shpreh Ndreu.
Përmirësimi i infrastrukturës së ujitje-kullimit po vijon me prioritet në gjithë vendin, duke u ardhur në ndihmë fermerëve për vaditjen e tokave bujqësore veçanërisht tani gjatë sezonit veror.
/m.m/r.e/