Po ndërtonin pa leje një TEC në pronë publike, arrestohen dy inxhinierë në Delvinë

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Në kuadër të masave të ndërmarra për ndërtimet e paligjshme që cenojnë territorin dhe mjedisin Policia e Vlorës në bashkëpunim me IKMT-në ushtruan kontroll në një subjekt privat (kompani gazi), në Delvinë.
Policia njoftoi sot se gjatë kontrollit u konstatua se kjo kompani po ndërtonte një impiant gazi (TEC), në pronë publike, pa leje ndërtimi dhe zhvillimi nga organet kompetente.
Sipas Policisë, në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasit: E. M., 31 vjeç, me detyrë përgjegjës i impiantit të gazit, dhe L. M., 53 vjeç, me detyrë përgjegjës i kantierit të ndërtimit, të dy të dyshuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: S. M., 56 vjeç, pronari i kompanisë, dhe J. I., 36 vjeç, administratori i kompanisë, të dy gjithashtu të dyshuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”.
Nga ana e IKMT-së është mbajtur procesverbali për konstatimin e kundërvajtjes dhe është bërë bllokimi i punimeve në këtë objekt.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
/m.q/r.e/