Ndriçimi i monumenteve të kulturës, kalatë dhe urat ndriçohen, të tjerat presin investime më të mëdha

Ndriçimi i monumenteve të kulturës mbetet një nga elementët kyç për promovimin e trashëgimisë dhe zhvillimin e turizmit në veri të vendit. Aktualisht, një pjesë e këtyre monumenteve janë të ndriçuara, duke u dhënë një dimension të ri estetik dhe funksional gjatë orëve të natës.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, e cila mbulon katër qarqet e veriut Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Dibër po punon për evidentimin dhe mirëmbajtjen e këtyre objekteve me vlera historike. Sipas drejtorit Helidon Sokoli, ndriçim kanë kryesisht monumentet më të frekuentuara, si kalatë dhe urat, ndër to Kalaja e Shkodrës, Kalaja e Lezhës dhe Ura e Mesit.
“Aktualisht ne kemi të ndriçuar kalanë e Shkodrës dhe kalanë e Lezhës projekte të hartuara dhe të financuara nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve. Po ashtu edhe ura e mesit është ë e ndriçuar si një projekt paketë financuar nga fundi shqiptar i zhvillimit”, tha Helidon Sokoli, drejtor DRTK Shkodër
Megjithatë, zgjerimi i kësaj harte mbetet një sfidë e madhe për institucionet përgjegjëse, për shkak të kostove të larta që kërkon instalimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të ndriçimit. Drejtori Sokoli thekson se për të rritur numrin e monumenteve të ndriçuara, nevojitet mbështetje më e madhe financiare dhe investime të qëndrueshme në këtë drejtim.
“Është pak e vështirë të ndriçohen të gjitha kalatë sepse do duhej pra një investim shumë i madh, një infrastrukturë mbështetëse për të çuar ndriçimin, rrjetin elektrik në çdo sit arkeologjik që kemi. Është goxha e vështirë. Mjafton të përmendim për shembull që sa e vështirë është të ndriçojmë qytetin mesjetar të Sardës që ndodhet në një ishull. Ka sot teknologji qoftë edhe me panele diellore ose me teknologji bashkëkohore që mund të ndriçohen, por duhen investime shumë të mëdha për t’i implementuar, por edhe për t’i mirëmbajtur”, u shpreh Sokoli.
Ndriçimi i monumenteve jo vetëm rrit sigurinë dhe aksesin për vizitorët, por shërben edhe si një mjet i rëndësishëm për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e turizmit në rajon.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/