Mushkonjat pushtojnë bregdetin e Divjakës, dezinsektimi pritet së shpejti, pushuesit largohen nga ambientet e hapura

Kjo është periudha kur mushkonjat nisin shfaqjen e tyre në pyjet e Divjakës, duke u përhapur si një mjegull e bezdisshme në bregdet dhe në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Prania e tyre është bërë shqetësuese, aq sa qëndrimi në ambientet e hapura shpesh bëhet i pamundur. Vizitorët përballen me pickime që shkaktojnë irritime të lëkurës dhe alergji, ndërsa edhe masat mbrojtëse nuk po japin efekt.
“Duam të vijmë në Divjakë edhe për të kaluar disa orë, por situata është keq”, tha një qytetare.
“Janë shumë të bezdisshme, nuk rri dot as 5 minuta. Dua të vijmë, por nuk durohen. Dezinsektimi duhej të ishte bërë”, u shpreh një qytetar.
Dezinsektimi ende nuk ka nisur, megjithëse kjo është faza kur shtimi i insekteve arrin kulmin. Nga Bashkia Divjakë bëhet e ditur se ndërhyrja pritet të fillojë së shpejti, me nisjen e fazave të para të procesit.
/rtsh.al/