E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndryshimet në ligjin “Për shërbimet”, Shqipëria hap tregun e shërbimeve ndaj BE-së

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Ministria e Ekonomisë ka hedhur për konsultim publik ndryshimet në ligjin “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”.

Një aspekt kyç i këtij projektligji është krijimi i kuadrit rregullator për ofrimin e shërbimeve ndërkufitare midis Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian, duke lehtësuar dhe stimuluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtinë e shërbimeve.

Gjithashtu, parashikohet përmirësimi i bashkëpunimit administrativ me BE-në, përfshirë përdorimin e Sistemit të Informacionit të Tregut të Brendshëm (Internal Market Information System – IMI), bazën e të dhënave online që lehtëson shkëmbimin e informacionit midis autoriteteve publike të përfshira në zbatimin praktik të ligjit të Bashkimit Evropian,

Sipas projektligjit, çdo ofrues shërbimi i vendosur në një shtet anëtar të BE-së ose të Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE) fiton të drejtën për të ofruar shërbime në territorin e Shqipërisë pa pasur nevojë për autorizime shtesë, regjistrime ose vendosje fizike në vend.

Projektligji parashikon edhe përjashtime nga kjo liri, në fusha të ndjeshme si shërbimet publike në sektorët e energjisë, ujit, mbetjeve, transportit, etj., profesione të rregulluara si avokatët, noterët, audituesit, apo shërbimet përmbarimore, çështje që lidhen me sigurimet shoqërore, të dhënat personale dhe pronësinë intelektuale.

Në nivel më të gjerë, ligji synon të vendosë standarde të unifikuara në legjislacionin sektorial dhe të harmonizojë kërkesat për ofrimin e shërbimeve, duke kontribuar në integrimin e plotë të Shqipërisë në tregun e brendshëm të BE-së.

Realizimi i këtij ligji do të përmirësojë klimën e biznesit dhe do të stimulojë zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në vend.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›