E Martë, 3 Nëntor 2026

Bici: OST masa për të përballuar rritjen e konsumit të energjisë në bregdet, remont linjave nga Shkodra në Sarandë

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Elisian Bici paraqiti sot planin e masave për sezonin turistik 2025, ku theksoi se “OST nisur nga eksperienca shumëvjeçare e operimit të rrjetit në transmetim parashikon që gjatë sezonit të verës të kemi një rritje të kërkesës për konsum të energjisë elektrike në zonat e bregdetit”.

Gjatë një takimi mbi arritjet, sfidat dhe masat e marra për menaxhimin e sezonit turistik ku ishte e pranishme edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Bici tha se “OST ka marrë disa masa specifike për të përballuar këtë rritje të kërkesës së konsumit të energjisë duke siguruar furnizimin për të gjithë konsumatorët me një cilësi shumë të mirë”.

Duke folur për masat e marra, Bici tha se “në të gjitha linjat e zonave turistike që përfshijnë zonat nga Shkodra deri në Sarandë është bërë remonti i të gjitha linjave dhe kontrolli i tyre”.

“Kemi vazhduar me përforcimin me grupe shtesë në nënstacionet ku kemi ngarkesa për sigurimin e linjave dhe kontrollin e tyre përgjatë sezonit turistik. Një risi që doja të theksoja është kontrolli i linjave të OST me kamera termike, kjo është risi që është bërë dy vitet e fundit. Ne po evidentojmë çdo linjë që ka ngarkesa që i tejkalon ngarkesat nominale dhe veprojmë para se të ndodhë defekti në to”, theksoi Bici.

Kreu i OST u shpreh se “në koordinim me OSHEE, OST DHE OSSH  kemi marrë masat për çdo stakim që mund të kemi për të shmangur kohën e shkëputjes së energjisë tek konsumatorët”.

“Në të gjitha këto nënstacione ku ngarkesat janë të mëdha, kemi shtuar personel dhe kemi vënë dhe mjete në dispozicion dhe kemi ngritur një grup që koordinohet nga drejtoria qendrore për mbarëvajtjen e çdo problematike që do hasim në zonat e bregdetit”, tha Bici.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›