E Martë, 3 Nëntor 2026

KOMENT – Udhëheqësit e BE-së takohen për të vendosur nëse do të mbështesin marrëveshjen e shpejtë tregtare me SHBA-në

BRUKSEL, 26 qershor /ATSH/- Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të zhvillojnë sot një takim ku do të fokusohen në arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas “Reuters”.

“Një marrëveshje e shpejtë duket të jetë opsioni i preferuar për shumicën”, thanë zyrtarët dhe diplomatët.

“Unë mbështes Komisionin, unë mbështes presidenten e Komisionit Evropian në përpjekjet e saj për të bërë progres në konkurrueshmëri. Unë gjithashtu mbështes Komisionin Evropian në të gjitha përpjekjet e tij për të arritur shpejt një marrëveshje tregtare me SHBA-në”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz.

“Evropa po përballet me javë dhe muaj vendimtarë,” tha ai.

Komisioni, i cili negocion marrëveshje tregtare në emër të BE-së, do t’u kërkojë udhëheqësve të 27 anëtarëve të BE-së – të cilët do të takohen në Bruksel – të arrijnë një zgjidhje, pasi afati për pezullimin e tarifave të presidentit Donald Trump përfundon më 9 korrik – më pak se dy javë larg.

Blloku tha se po përpiqet për një marrëveshje të dobishme për të dyja palët, por ndërsa Uashingtoni duket se do t’i përmbahet tarifave të tij prej 10% për shumicën e mallrave të BE-së dhe kërcënon me tarifa më të larta – diplomatët e BE-së thanë se një numër gjithnjë e në rritje i vendeve të BE-së tani po kërkojnë një zgjidhje të shpejtë.

“Një luftë tregtare i bën të dyja palët e Atlantikut më të varfra. Kështu që unë mbështes qasjen e presidentes së Komisionit, i cili gjithmonë ka ruajtur qetësinë dhe ka negociuar për një rezultat”, tha kryeministri belg Bart De Wever.

“Nëse kjo do të përfundonte me tarifa të njëanshme dhe të padrejta, atëherë duhet të marrim kundërmasa proporcionale dhe të synuara”, tha ai.

Blloku tashmë po përballet me tarifat e importit të SHBA-së prej 50% ndaj çelikut dhe aluminit, 25% ndaj automjeteve dhe pjesëve të tyre, së bashku me një tarifë prej 10% ndaj shumicës së mallrave të tjera të BE-së, që Trump ka kërcënuar se mund të rritet në 50% – në rast se nuk arrihet një marrëveshje.

E vetmja marrëveshje tregtare e përfunduar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri më sot është me Britaninë e Madhe, me tarifën prej 10% ende në fuqi.

Zyrtarët amerikanë thanë se kjo tarifë nuk do të ulet për asnjë partner tregtar.

Rreth 23 udhëheqës do të vijnë sot në Bruksel – direkt nga samiti i NATO-s në Hagë.

“Ekziston një grup vendesh të BE-së që duan të mbrojnë kompanitë duke pranuar me sa duket diçka me të cilën janë mësuar – një tarifë bazë prej 10%”, tha një diplomat i BE-së. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›