Në ditëlindjen e PS-së, Rama sfidon kritikët: Shqipëria 2030 do të ngjitet në majën e Europës

Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, duke iu drejtuar anëtarëve dhe mbështetësve të forcës politike që drejton.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama uroi “çdo anëtar e anëtare të familjes sonë të madhe politike”, ndërsa theksoi se Partia Socialiste mbetet e vendosur në objektivin e saj për integrimin europian të vendit.
Kreu i qeverisë nënvizoi se misioni i socialistëve është që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian brenda vitit 2030, duke e cilësuar këtë si një mision historik për vendin.
“Mirëmëngjes dhe me urimin për çdo anëtar e anëtare të familjes sonë të madhe politike, në këtë 35-vjetor të Partisë Socialiste, si edhe me bindjen e patundur në misionin tonë historik për të ngjitur Shqipërinë 2030 në majën e Europës së Bashkuar, ju dëshiroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Mesazhi i kryeministrit vjen në një moment kur Partia Socialiste shënon 35 vite nga krijimi i saj, ndërsa integrimi europian vijon të mbetet një nga objektivat kryesore të mazhorancës qeverisëse.