Në kërkim nga GJKKO, ekstradohet nga Mbretëria e Bashkuar 30-vjeçari

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Një 30-vjeçar i akuzuar nga GJKKO, si pjesëtar i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve, u arrestua në Mbretërinë e Bashkuar me qëllim ekstradimi në Shqipëri.
Policia njoftoi sot se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Mançester (Mbretëria e Bashkuar), u bë e mundur kapja në Mbretërinë e Bashkuar dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit Xh. H., 30 vjeç.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 22.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale””, njoftoi policia.
Sipas policisë, nga hetimet dyshohet se ky shtetas është pjesëtar i grupit kriminal që ka kultivuar bimë narkotike në serra, në fshatin Drenovicë, Berat, në vitin 2022. Policia sekuestroi 870 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.
Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me Interpol Mançester, për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
/m.q/a.f/r.e/