E Martë, 3 Nëntor 2026

Në kërkim për mashtrim me TVSH, arrestohet 19-vjeçari në Durrës

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Një 19-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Skema” është arrestuar nga policia e Durrësit, pasi akuzohet për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Policia njoftoi sot se “operacioni “Skema”, i zhvilluar 6 muaj më parë, identifikoi 7 shtetas, të cilët deklaronin të dhëna financiare fiktive të subjekteve që administronin apo ku ishin të punësuar, për të shmangur detyrimet tatimore. Kjo veprimtari kriminale dyshohet t’i ketë sjellë shtetit, rreth 3 milionë euro dëm ekonomik”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës kapën dhe ndaluan shtetasin L. T., 19 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në kuadër të operacionit të koduar “Skema””, njoftoi policia.

Policia bëri të ditur se “vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›