E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Avokaturës së Shtetit, Gjykata Kushtetuese: Praktika jonë ka ndryshuar sipas standardeve të GJEDNJ-së

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Gjykata Kushtetuese reagoi sot ndaj gjetjeve të raportit të Avokaturës së Shtetit të datës 23 qershor 2026 mbi ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), duke i cilësuar disa prej vlerësimeve si të paplota dhe keqinformuese.

Në një deklaratë zyrtare, Gjykata thekson se raporti i dërguar Kuvendit të Shqipërisë, përmban interpretime që sipas saj krijojnë perceptime të pasakta për mënyrën se si institucioni zbaton vendimet e GJEDNJ-së, veçanërisht në lidhje me të drejtën e aksesit në gjykimin kushtetues.

“Gjykata Kushtetuese është njohur me gjetjet e Raportit të Avokaturës së Shtetit të datës 23.06.2026 “Për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) për periudhën janar-dhjetor 2025”, i cili i është dërguar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në këtë raport, që pasqyron veprimtarinë e Avokaturës së Shtetit në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së ndaj shtetit shqiptar, përfshirë ato në të cilat janë konstatuar shkelje të të drejtave të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) edhe në procedurat e zhvilluara nga Gjykata, paraqiten edhe vlerësime mbi praktikën e Gjykatës pas dhënies së këtyre vendimeve. Sipas Avokaturës së Shtetit, ndonëse ajo ka dhënë rekomandime, “nga Gjykata nuk kemi pasur një qëndrim në lidhje me këto rekomandime, ndaj dhe këtë vit GJEDNJ-ja ka vijuar me konstatimin e shkeljeve për sa i përket këtij aspekti”, duke iu referuar së drejtës së aksesit në gjykimin kushtetues dhe interpretimit të afatit ligjor për paraqitjen e ankimit kushtetues individual.

“Edhe më parë, Gjykata ka bërë thirrje për maturi dhe kujdes në deklaratat e aktorëve ose personave të “përfshirë në diskutimin publik për institucionin dhe gjyqtarët e saj. Megjithëse nuk ka synuar të përfshihet në debate të tilla, fakti që reagimi i një institucioni publik përmban elemente keqinformuese dhe është përdorur publikisht për të vënë në diskutim integritetin dhe autoritetin e saj, e bën të nevojshëm këtë sqarim në funksion të informimit të drejtë të publikut”, thuhet në reagimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata sqaron se nuk vihet në lëvizje mbi bazën e rekomandimeve të institucioneve të tjera, përfshirë Avokaturën e Shtetit, por zbaton drejtpërdrejt Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas saj, detyrimi për respektimin e jurisprudencës së GJEDNJ-së buron nga vetë Kushtetuta.

Gjykata thekson se pas vendimit të GJEDNJ-së në çështjen “Supergrav kundër Shqipërisë”, të 9 majit 2023, ka ndryshuar praktikën lidhur me interpretimin e afatit për paraqitjen e ankimit kushtetues individual. Ajo bën të ditur se tashmë, në çdo rast, kërkon informacion zyrtar nga Gjykata e Lartë për mënyrën e komunikimit të vendimit dhe, në mungesë të provave, barra e provës nuk i kalon qytetarit, ndërsa ankimi konsiderohet i paraqitur brenda afatit ligjor.

Gjykata nënvizon gjithashtu se ka rihapur proceset në të gjitha rastet kur GJEDNJ ka konstatuar shkelje në procedurat e saj dhe palët kanë kërkuar rishqyrtim, duke respektuar detyrimet që rrjedhin nga vendimet e Strasburgut.

Sa i përket standardit të arsyetimit të vendimeve, Gjykata argumenton se raporti nuk merr parasysh faktin që çështja “Frroku kundër Shqipërisë” u shqyrtua në një periudhë kur institucioni nuk kishte përbërje të plotë. Ajo shton se, që prej vitit 2021, edhe në rastet kur nuk arrihet shumica e nevojshme për vendimmarrje, vendimet shoqërohen me arsyetim të detajuar dhe pasqyrojnë qëndrimet e ndara të gjyqtarëve, në përputhje me standardet e GJEDNJ-së.

“Në këtë drejtim, Gjykata thekson se praktika e saj ka ndryshuar prej vitit 2021. Në çdo rast kur nuk arrihet shumica e nevojshme për vendimmarrje, e diktuar shpesh edhe nga përbërja e saj (aktualisht me vetëm tetë gjyqtarë), vendimet shoqërohen me arsyetimin përkatës, duke pasqyruar në mënyrë të detajuar qëndrimet e ndara të gjyqtarëve dhe duke garantuar standardin e arsyetimit, në përputhje me praktikën e GJEDNJ-së”, thuhet në reagim.

Më tej gjykata i bën thirrje Avokaturës së Shtetit të sigurojë raportime të plota, objektive dhe të sakta mbi ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së, duke shmangur përfundime që mund të cenojnë besimin publik ndaj institucioneve. Gjykata vlerëson rolin e Avokaturës së Shtetit në përfaqësimin e Shqipërisë pranë GJEDNJ-së, por thekson se ky funksion kërkon informacion të plotë dhe të përditësuar, si dhe respektim të parimit të bashkëpunimit institucional.

“Gjithashtu, në këndvështrim të parimit të bashkëpunimit luajal, i cili bazohet në respektin e ndërsjellë për kompetencat e çdo institucioni dhe nënkupton krijimin e një raporti bashkëpunimi ndërmjet tyre, si dhe duke pasur parasysh se përgjegjësia për ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së nuk i përket vetëm një institucioni, Gjykata ka ofruar asistencën e nevojshme sa herë që Departamenti për Ekzekutimin e Vendimeve i GJEDNJ-së ka kërkuar informacion përmes Avokaturës së Shtetit, si dhe ka ndërtuar ura bashkëpunimi me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë. Në përfundim, Gjykata rithekson përkushtimin e saj për zbatimin e Kushtetutës, të KEDNJ-së dhe të jurisprudencës së GJEDNJ-së, duke garantuar pasqyrimin e standardeve të saj në praktikën kushtetuese dhe mbrojtjen efektive të të drejtave dhe lirive themelore”, nënvizon gjykata.

Reagimi i plotë

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›