Tjetër shpërdorim detyre, Gjykata e Posaçme akuzë të dytë për Jorgo Goron

Gjykata e Posaçme i ka komunikuar masën e dytë të sigurisë “arrest me burg” për ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës Jorgo Goron, i cili aktualisht ndodhet në burg për shkak të “shpërdorimit të detyrës”.
Goro, gjatë procesit të trajtimit të kërkesës së paraqitur nga Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës, Arqile Bollano, për pajisjen e këtij të fundit me tokë, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin.
“J. G., në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, gjatë procesit të trajtimit të kërkesës së paraqitur nga shtetasi A. B. dhe më tej pajisjen e këtij shtetasi me aktin e marrjes së tokës në pronësi, ka kryer veprime/mosveprime në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr. 9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, i ndryshuar, si dhe pikat 1, 2, 3 të VKM-së me nr. 253, datë 6.3.2013 “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhet në njoftim.
Sipas hetimeve ka rezultuar se Bollano, ka përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqje toke prej 4263 m2.
“Kjo sipërfaqe toke është përfituar në mënyrë të paligjshme pasi hetimi ka provuar se shtetasi A.B. është trajtuar me tokë bujqësore bazuar në Ligjin nr. 7501/1991 “Për Tokën” sipas AMTP nr…….., datë 08.03.1996, me sipërfaqe totale 7700 m2.”, thuhet në njoftim.
Toka u dha në vitin 2015 kur bashkia drejtohej nga Jorgo Goro. Arqile Bollano e mori detyrën e kryetarit të komanduar të Bashkisë së Himarës në 7 qershor, duke zëvendësuar Blerina Balën, edhe kjo kryetare e komanduar.
Ka qenë Byroja Kombëtare e Hetimit ajo që ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj Jorgo Goros.
/rtsh.al/