E Martë, 3 Nëntor 2026

Nënshkruhet marrëveshja për rritjen e sigurisë së depove të armëve

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Shqipëria ka bërë një tjetër hap në rritjen e sigurisë dhe mirëmenaxhimin e depove të armëve në Shqipëri.

Kështu bëri me dije zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale nënvizoi se sot nënshkroi marrëveshjen e Memorandumit të Mirëkuptimit, mes Ministrisë së Brendshme dhe ITF Enhancing Human Security përmes projektit “Siguria Fizike dhe Menaxhimi i Depove në Shqipëri”.

Sipas Lamallarit, ky është një hap i rëndësishëm që ndihmon në zhvillimin dhe sigurinë e vendit. Gjithashtu, vijoi ai, garanton ecjen në korsinë e shpejtë drejt integrimit në BE.

Lamallari theksoi se “qëllimi i memorandumit është të mbështesë zbatimin e aktiviteteve të dakordësuara ndërmjet ITF dhe Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit”.

“Mirënjohës ndaj kontributit dhe mbështetjes nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ITF për sigurinë në Shqipëri sipas standardeve ndërkombëtare”, shkruan Lamallari.  /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›