E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nesër finalja e madhe Vllaznia – Egnatia për titullin kampion

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Vetëm një ditë na ndan nga finalja e madhe e kampionatit “Abissnet Superiore”, ku Egnatia dhe Vllaznia do të përballen në “Arenën Kombëtare” për titullin kampion të Shqipërisë. Dy skuadra të forta, dy filozofi të ndryshme loje, por një objektiv të përbashkët; kurorën e sezonit 2024-2025.

Egnatia vjen si kampione në fuqi dhe kërkon të përsërisë suksesin, ndërsa Vllaznia synon rikthimin e madh në majat e futbollit shqiptar. Përballjet direkte mes tyre gjatë këtij sezoni tregojnë një ekuilibër të plotë, që e bën finalen edhe më të paparashikueshme.

Në katër ndeshjet e kampionatit, të dyja skuadrat kanë nga një fitore dhe dy barazime:

Egnatia 2 – 2 Vllaznia

Vllaznia 0 – 2 Egnatia

Egnatia 1 – 1 Vllaznia

Vllaznia 3 – 1 Egnatia

Të dyja ekipet kanë treguar se mund të fitojnë ndaj njëra-tjetrës dhe finalja e së hënës pritet të jetë një ndeshje e fortë, ku detajet do të bëjnë diferencën.

Biletat për finalen Vllaznia – Egnatia, janë në shitje online në ebileta.al dhe në pikën fizike pranë stadiumit “Arena Kombëtare”.

Kjo finale do të gjykohet nga arbitri i njohur polak Szymon Marciniak dhe asistentë të tij do të jenë Bartosz Heinig dhe Marek Arys. Në dhomën e VAR-it do të jetë Paweł Malec, i cili do të ketë në krah shqiptarin Kreshnik Barjamaj në rolin e AVAR-it. Arbitri i katërt i takimit do të jetë Enea Jorgji.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›