E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zëdhënësja për zgjedhjet pranë PS apel qytetarëve të votojnë: Shqipëria ka nevojë për vendimin tuaj

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Zëdhënësja për zgjedhjet pranë Partisë Socialiste, Silda Çepe u bëri thirrje sot të gjithë qytetarëve shqiptarë të shkojnë të votojnë dhe të mos e lënë këtë moment historik të kalojë pa zërin e tyre.

Në një deklaratë për mediet, Çepe u shpreh se “sot është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, për vendin tonë”.

“Sot të gjithë ne kemi një mundësi, që vjen vetëm një herë në katër vjet, për të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë, të familjeve tona, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Vota juaj në këto zgjedhje është më e rëndësishme se kurrë. Përmes saj ju do të vendosni se në çfarë drejtimi do të ecë Shqipëria jonë”, u shpreh ajo.

Çepe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të shkojnë të votojnë dhe të vendosin ata vetë për Shqipërinë që dëshirojnë për veten, për familjet dhe për fëmijët.

“11 maji është dita juaj. Shqipëria ka nevojë për vendimin tuaj”, u shpreh ajo.

/m.m/r.e/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›