E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga bioterrorizmi te lëndët bërthamore, ja kërkimet shkencore që do bëhen vetëm me leje speciale

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që përcakton fushat e “rëndësisë së veçantë”, ku çdo eksperiment apo studim do të kërkojë një leje specifike të miratuar nga ministri.

Sipas vendimit të ri, institutet kërkimore nuk mund të veprojnë pa leje special në katër sektorë kyç si biosiguria, ku këtu përfshihen studimet mbi kërcënimet biologjike, sëmundjet infektive të rrezikshme dhe ato që lidhen me bioterrorizmin, siguria bërthamore, ku çdo kërkim mbi përhapjen bërthamore, kontrollin e armëve apo shfrytëzimin e energjisë bërthamore do të jetë i kontrolluar, kimikatet e rrezikshme për të cilat do të kërkohet leje për eksperimente me substanca kimike me risk të lartë (sipas Konventës së Armëve Kimike), si dhe manipulimi ose magazinimi i agjentëve biologjikë të nivelit BSL-3 dhe BSL-4.

Qeveria ka saktësuar se ky vendim nuk do të pengojë punën e përditshme të mjekësisë. “Kërkimet rutinë në shëndetin publik, survejanca epidemiologjike, monitorimi i ujit, ushqimit apo analizat statistikore nuk i nënshtrohen detyrimit për leje,” citohet në vendim, duke garantuar se funksionimi i spitaleve dhe laboratorëve bazë nuk do të ndalen.

Për të marrë “dritën jeshile”, institutet duhet të plotësojnë kritere rigoroze: të kenë staf të kualifikuar, infrastrukturë të përshtatshme, plan të detajuar të riskut dhe burime financiare të garantuara.

Procedura do të jetë digjitale përmes e-Albania (ose fizikisht deri në ngritjen e sistemit ACRIS). Aplikimi do të kalojë në dy filtra: fillimisht vlerësohet nga ministria e linjës (p.sh., Ministria e Shëndetësisë ose e Mbrojtjes) dhe nëse miratohet, dërgohet për firmën finale te Ministri përgjegjës për Shkencën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›