E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga dështimi te Besiktasi në yllin e Trabzonsporit dhe Shqipërisë – ringjallja spektakolare e Ernest Muçit

Historia e Ernest Muçit në futbollin turk po merr një kthesë të madhe. Ajo që nisi me shumë pritshmëri te Besiktasi, por që më pas u shndërrua në një periudhë të vështirë për sulmuesin shqiptar, po përfundon në një histori ringjalljeje te Trabzonspori.

Kalimi në një klub të ri duket se i ka dhënë Muçit atë që i mungonte: besimin, hapësirën për të treguar cilësitë dhe vazhdimësinë në fushën e lojës. Për një futbollist që kishte ardhur në Turqi me ambicie të mëdha, por që nuk arriti ta shfaqte gjithmonë potencialin e tij, kjo periudhë mund të jetë vendimtare për karrierën.


Rikthimi i tij nisi që në sezonin 2025/26, kur u largua nga Besiktasi dhe iu bashkua Trabzonsporit në formë huazimi, me mundësi blerjeje. Në klubin e ri, Muçi nuk pati nevojë për shumë kohë për t'i bindur drejtuesit se mund të ishte një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.

Dallimi mes dy periudhave në Turqi shihet edhe në statistika. Me fanellën e Besiktasit, Muçi kishte regjistruar 11 gola dhe katër asistime në 61 paraqitje në të gjitha garat. Ndërkohë, në sezonin e tij të parë me Trabzonsporin, ai arriti të shënonte 15 gola dhe të regjistronte shtatë asistime në 35 ndeshje. Vetëm në kampionat realizoi 11 gola, ndërsa katër të tjerë i shtoi në Kupën e Turqisë.

Statistikat në kohën e kaluar mes dy klubeve nga SofaScore

Madje, që në janar të vitit 2026, mediat turke raportonin se trajneri Fatih Tekke kishte dhënë vlerësim pozitiv për vazhdimin e bashkëpunimit me Muçin. Trabzonspori ishte i bindur për rëndësinë e tij dhe vendosi ta mbante përtej marrëveshjes fillestare të huazimit.

Shifrat ishin aq bindëse saqë Trabzonspori vendosi të mos e linte më të ardhmen e tij në pikëpyetje. Më 20 maj 2026, klubi turk njoftoi zyrtarisht se kishte aktivizuar opsionin e blerjes së kartonit të tij nga Besiktasi.

Marrëveshja ishte në vlerën e 8.5 milionë eurove, të cilat Trabzonspori do t'i paguante në tetë këste. Kështu, Muçi u bë një prej transferimeve më të shtrenjta në historinë e klubit nga Trabzoni.

Besimi ndaj tij u konfirmua edhe me kontratën e re. Më 5 qershor 2026, Trabzonspori zyrtarizoi marrëveshjen trevjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër. Sipas njoftimit të publikuar në bursën turke, Muçi do të përfitojë 2.5 milionë euro pagë të garantuar për secilin sezon, ndërsa nëse aktivizohet viti shtesë, paga për edicionin 2029/30 do të jetë 2.75 milionë euro.

Por, ringjallja e tij nuk është ndalur me sezonin e parë të suksesshëm. Muçi po vazhdon të jetë vendimtar edhe në edicionin 2026/27.

Në nëntë paraqitje në Superligën turke, reprezentuesi shqiptar ka realizuar tri gola dhe ka dhënë gjashtë asistime, duke u shndërruar në një prej organizatorëve më produktivë të Trabzonsporit.

Paraqitja e tij e fundit ndaj Gaziantep ishte një tjetër dëshmi e formës së jashtëzakonshme. Ndër të tjera ai e fitoi tërë vëmendjen edhe në triumfin spektakolar 4-3 të Trabzonsporit më 26 tetor ndaj Rizespor, ku Muçi dhuroi tri asistime, duke qenë protagonist në tri prej katër golave të skuadrës. Ai u vlerësua me notën 9.3 nga SofaScore.

Kjo tregon se Muçi nuk është më vetëm një futbollist që kërkon hapësira për të shënuar, por edhe një lojtar që po merr përgjegjësi të mëdha në organizimin e lojës dhe krijimin e rasteve për bashkëlojtarët.

Shkëlqimi te Trabzonspori e rriti ndikimin e tij edhe të Shqipëria

Por, shpërthimi i Muçit në Turqi nuk ka kaluar pa u vërejtur as nga përzgjedhësi i Shqipërisë, Ronaldo Maran.

Në fakt, periudha te Trabzonspori duket se ka ndryshuar edhe statusin e tij në Kombëtare. Në vitin 2025, Muçi kishte marrë vetëm 30 minuta lojë me fanellën kuqezi, ndërsa në katër ndeshjet e shtatorit dhe tetorit 2026 u aktivizua si titullar në secilën prej tyre, duke regjistruar gjithsej 247 minuta.

Ai e shpërbleu besimin e trajnerit me një gol në fitoren 2-0 ndaj Bjellorusisë, ndërsa ishte pjesë e formacionit edhe në përballjet me San Marinon dhe Finlandën. Kështu, futbollisti që më parë kishte vështirësi për të siguruar hapësira në Kombëtare, tashmë po bëhet një alternativë gjithnjë e më e rëndësishme në repartin ofensiv të Shqipërisë.

Kësisoj, nuk është më befasi se pse disa klube të Ligës Premier, apo edhe ato italiane, përfshirë Napolin, kanë nisur punën për ta kompletuar afrimin e yllit shqiptar./Telegrafi/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›