E Premte, 6 Nëntor 2026

Nga dronët te sistemet kundërajrore, Nufi prezanton investimet për ushtrinë: 76 miliardë lekë buxheti për 2027

Shqipëria do të shpenzojë më shumë për mbrojtjen gjatë vitit 2027, me investime që përfshijnë blerjen e dronëve, avionëve, armatimeve të reja dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore. Projektbuxheti i Ministrisë së Mbrojtjes parashikon 76 miliardë e 284 milionë lekë, ose 7.5 miliardë lekë më shumë se në vitin 2026.

Shifrat u prezantuan nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes. Sipas tij, buxheti për vitin e ardhshëm përfaqëson 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe synon modernizimin e Forcave të Armatosura, si dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në NATO.

Nga fondi total, 43.6 miliardë lekë, ose 57.2%, janë parashikuar për investime dhe shpenzime kapitale, ndërsa 32.6 miliardë lekë do të përdoren për shpenzimet korrente.

Rreth 23.1 miliardë lekë do të shkojnë vetëm për modernizimin e Forcave të Armatosura. Në listën e blerjeve përfshihen armatime të lehta, dronë, avionë krahëfiks, sisteme kundër dronëve dhe pajisje për mbrojtjen ajrore.

Investimet parashikojnë gjithashtu zhvillimin e një sistemi të integruar për vëzhgimin e hapësirës ajrore, si dhe modernizimin e mjeteve të transportit dhe sistemeve të komunikimit e informacionit në bazën e NATO-s në Kuçovë.

Një tjetër fond prej 5.9 miliardë lekësh është planifikuar për infrastrukturën ushtarake. Mes projekteve janë ndërtimi i pjesës ushtarake të portit të ri në Porto Romano, rivitalizimi i Bazës së Pashalimanit, rikonstruksioni i Spitalit Ushtarak dhe ndërtimi i hangarëve të Shkollës së Aviacionit.

Në këtë paketë përfshihen edhe infrastruktura mbështetëse për Korridorin VIII, ndërtimi i ambienteve akomoduese në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe investime për përballimin e emergjencave civile dhe fatkeqësive natyrore.

Ministri Nufi theksoi se fondet janë planifikuar në përputhje me nevojat e Forcave të Armatosura dhe objektivat afatgjata të mbrojtjes. Një pjesë e tyre do të përdoret për pajisjen e Forcave Tokësore me armatime të reja, të përshtatshme për operacionet e përbashkëta me aleatët e NATO-s.

Projektbuxheti parashikon gjithashtu masa për përmirësimin e trajtimit të ushtarakëve, zhvillimin e karrierës dhe rritjen e kapaciteteve trajnuese, si dhe forcimin e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit në Forcat e Armatosura.

Sipas ministrit, Shqipëria do të vijojë angazhimet në operacionet dhe misionet e NATO-s, ndërsa do të mbajë në gatishmëri kapacitetet për mbrojtjen kombëtare, reagimin ndaj krizave dhe emergjencave civile.

Shpenzimet për mbrojtjen pritet të rriten edhe gjatë tre viteve pasardhëse, me afërsisht 1 miliard lekë shtesë çdo vit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›