Nga gjilpëra tradicionale në moderne, Esmeralda Tafa sjell artin e qëndisjes digjital

Qëndisja është një nga punimet më të vjetra artizanale që dikur realizohej vetëm me dorë. Sot, falë teknologjisë, ky zanat po merr një formë moderne.
Esmeralda Tafa është shembulli i kësaj ndërthurjeje mes traditës dhe qëndisjes digjitale.
“Në fillim ka filluar si kureshtje, pastaj u shndërrua kohë pas kohe në pasion. Sigurisht qëndisja me dorë ka një emocion të veçantë, por kur kërkesat rriten, lind dhe natyrshëm kalimi në qëndisjen digjitale”, thotë Esmeralda.
Esmeralda tregon ndryshimet mes qëndisjes tradicionale me atë digjitale.
“Qëndisja tradicionale, sigurisht është art më vete, është emocion, Është shumë e bukur dhe më e prekshme dhe është unike. Qëndisja digjitale është komplet diçka tjetër, është industri më vetë, ofron precizion, saktësi, prodhim në seri”, tregon ajo.
Në punishten e saj realizohen lloje të ndryshme qëndisjesh ku disa modele mbeten më të kërkuarat nga klientët.
“Individë të ndryshëm kërkojnë personalizime për dhurata. Sot në kohë mo0derne, qëndisja është fokusuar shumë në kompanitë. Ata bëjnë logot e firmave të tyre dhe ne kemi bashkëpunime të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit”, thotë Esmeralda.
Për Esmeraldën, vlerësimi më i madh është kur firma apo individë zgjedhin pikërisht atë për ti besuar stemat dhe punimet e tyre.
“Kënaqësia është shumë e madhe kur sheh se produkti yt final bëhet pjesë e përditshmërisë së një personi, një stafi e një firme dhe një kompanie”, thotë ajo.
Me pasionin e saj të vazhdueshëm dhe teknologjinë moderne, Esmeralda po i jep jetë një zanati të vjetër duke e përshtatur me kohën dhe kërkesat e sotme.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/