E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis legalizimi i një pallati në rrugën “Muhamet Deliu” në Tiranë

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Ka nisur procesi i legalizimit të një pallati në rrugën “Muhamet Deliu” në Tiranë, duke i hapur rrugë pajisjes së banorëve me dokumentacionin përkatës të pronësisë.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ftoi banorët të dorëzojnë pranë Drejtorisë Vendore Tiranë Rurale 1 dokumentacionin e nevojshëm, si kontratë porosie, kontratë sipërmarrjeje, marrëveshje noteriale ose çdo dokument tjetër provues, për t’u përfshirë në procesin e legalizimit.

Sipas ASHK-së, objekti përfshin gjithsej 121 njësi, nga të cilat 88 apartamente, 30 garazhe dhe 3 njësi socio-ekonomike.

Kadastra thekson se, pas përfundimit të verifikimeve në terren, matjeve të njësive dhe administrimit të dokumentacionit të dorëzuar nga banorët, do të vijojë emetimi i vendimeve të legalizimit në favor të tyre.

Ky proces synon formalizimin e statusit juridik të objektit dhe garantimin e të drejtave të pronësisë për banorët që disponojnë dokumentacionin përkatës.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›