E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis pastrimi i vijës bregdetare në Shëngjin dhe Tale

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Bashkia e Lezhës ka ndërmarrë masa të menjëhershme për pastrimin e vijës bregdetare, pas depozitimit të mbetjeve nga prurjet e shumta të lumenjve.

Punëtorë dhe mjete të shërbimeve të bashkisë janë angazhuar në terren për largimin e mbetjeve nga bregdeti i Shëngjinit dhe Tales.

Drejtori i Shërbimeve Publike në bashkinë Lezhë Jurgen Marku u shpreh për mediet se monitorimi dhe ndërhyrjet do të jenë të vazhdueshme, për të pasur një bregdet të pastër nga Rana e Hedhur deri në Kune.

“Reshjet intensive të shiut që ranë ditët e fundit dhe prurjet e shumta të lumenjve sollën në bregdetin e Lezhës mbetja të shumta. Me përmirësimin e motit, Drejtoria e Shërbimeve Publike në bashkinë Lezhë ka nisur ndërhyrjen për pastrimin. Këto ndërhyrje do të jenë të vazhdueshme  gjatë gjithë kohës”, tha Marku.

Prurjet e lumenjve Drin dhe Mat vijojnë të sjellin ndotje të madhe në bregdetin e Lezhës, sa herë ka shtim të prurjeve nga reshjet e shiut, duke i kthyer në shqetësim për zonat turistike të Shëngjinit dhe Tales.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›