E Martë, 3 Nëntor 2026

Nis sot zbatimi i masave kufizuese të BSH-së për kreditë për pasuri të paluajtshme

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Nis sot zbatimi i masave të reja të vendosura nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, që kufizojnë huadhënien për blerjen e pronave nga qytetarët.

Në një intervistë në medie, drejtori i Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, Klodion Shehu, theksoi se ekonomia po kalon një periudhë pozitive me rritje të qëndrueshme ekonomike, të ardhurave familjare dhe kreditimit, si dhe me norma interesi konkurruese.

Megjithatë, sipas Shehut, kjo situatë kërkon masa parandaluese për të shmangur akumulimin e rreziqeve, sidomos në segmentin e pasurive të paluajtshme rezidenciale dhe rritjes së borxhit të familjeve.

Masat përfshijnë kufizime në raportin e huasë ndaj vlerës së kolateralit, që është 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për të dytën në lekë, dhe pak më të ulëta për valutë.

Gjithashtu, përcaktohet një kufi për shërbimin e borxhit ndaj të ardhurave të kredimarrësit dhe një afat maksimal për kreditë, si dhe një kuotë përjashtimore prej 15% për kreditë që mund të dalin jashtë kufijve.

Shehu sqaroi se masat nuk synojnë të ndikojnë direkt çmimet e pronave, por të bëjnë lëvizjet në treg më graduale dhe në përputhje me të ardhurat afatgjata të familjeve.

“Qëllimi i këtyre masave nuk është të ndikojë direkte çmimi i pasurive të paluajtshme rezidenciale ne e dimë që në këtë treg ka një mori faktorësh të cilët e përcaktojnë këtë çmim por sigurisht që këto masa do të ndikonin që lëvizjet në këtë treg të jenë më graduale dhe më në përputhje me ecurinë afatgjatë të të ardhurave të familjeve kjo do të ishte diçka pozitive në këndvështrimin tone”, deklaroi Shehu.

Ai gjithashtu theksoi se këto masa nuk do të kufizojnë ndjeshëm kreditimin, falë kuotës përjashtuese dhe kapacitetit të bankave për t’u përshtatur me rregulloret e reja.

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës do të rishikohet çdo dy vjet dhe Banka e Shqipërisë nuk përjashton marrjen e masave shtesë nëse do të jetë e nevojshme.

“Vetë vendimi i Këshillit Mbikëqyrës përmban edhe një klauzolë e cila thotë që vendimi duhet rishikuar të paktën 1 herë në 2 vjet kështu që ne objektivin e kemi të mbledhim të dhënat nga bankat sipas tremujorëve dhe të shikojmë efektin që mund ketë ky vendim në zhvillimet e kredisë së re në pasuritë e paluajtshme rezidenciale ne po themi shpërndarjen e vlerave të këtyre treguesve për të cilat vendimi vendos disa kufizime dhe sigurisht në rast se do të ketë nevojë do të ndërmerren ndryshime të vendimit ose masa të tjera shtesë në rast se do të jenë të nevojshme”, thotë ai.

Ky vendim është një përgjigje edhe ndaj rekomandimeve të FMN-së dhe kërkesave të Kuvendit për monitorim më të rreptë të tregut të pasurive të paluajtshme.

Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare më 5 qershor dhe është i detyrueshëm për të gjithë aktorët e sistemit bankar në Shqipëri.

Në datën 7 maj 20125 Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka marr një vendim për të vendosur disa kufi mbi standardet e kredidhënies së re për pasuritë e paluajtshme rezidenciale konkretisht janë vendosur kufi të sipër për raportin vlerës së kredisë ndaj vlerës së kolateralit. Për lekun është në nivelin 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë ndërsa për valutën 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Krahas këtij kufizimi vendimi përmban edhe një tregues tjetër që është ai shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave të kredimarrësit për lekun ky është në nivelin 40% dhe 35% dhe për valutën është për nivelin 35% dhe 30%.

Gjithashtu vendimi përmban edhe një rekomandim në lidhje me afatin maksimal të kredisë, i cili duhet të jetë minimumi midis 30 vjet dhe viteve deri në daljen në pension të kredimarrësit pra viteve kur ai është në jetë aktive dhe siguron të ardhura. Vendimi gjithashtu përmban edhe një kuotë përjashtimore kjo është e vendosur në nivelin 15% të totalit të kredisë së re që banka mund të jap gjatë një tremujori. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›