Nis verifikimi në terren i parcelave të digjitalizuara në Berat

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Në kuadër të projektit pilot LPIS, me mbështetjen e ekspertëve të Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC), ka nisur verifikimi në terren i parcelave të digjitalizuara në Berat.
Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi, u shpreh se puna konsistoi në verifikimin e një sërë treguesish në kuadër të projektit LPIS.
Gjatë procesit, ekipi krahasoi kufijtë digjitalë me ata realë, vlerësoi përdorimin aktual të tokës bujqësore dhe përdori pajisje GPS për matje të sakta, të shoqëruara me foto të gjeotaguara.
LPIS (Land Parcel Identification System) është një sistem modern digjital që mundëson menaxhim dhe verifikim më të saktë, transparent dhe të standardizuar të fondeve bujqësore, sipas kërkesave të Bashkimit Evropian.
Ky proces përbën një hap të rëndësishëm drejt ngritjes së një sistemi bashkëkohor të menaxhimit të tokës dhe rritjes së transparencës në sektorin bujqësor. Gjithashtu do të lehtësojë aplikimet e fermerëve online për subvencione, duke reduktuar burokracitë dhe duke rritur saktësinë në verifikimin e të dhënave mbi sipërfaqet bujqësore. /j.p/