E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisin ethet e skenës/ Dy ditë nga Festivali i Pranverës, orkestra dhe artistët prova në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit

Orkestra, bendi muzikor dhe artistët janë në ditët e fundit të provave intensive përpara nisjes së Festivalit të Pranverës në RTSH.

Tashmë provat janë zhvendosur në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ku ethet e garës dhe emocionet kanë pushtuar këngëtarët.

Risia më e madhe e këtij edicioni, i cili i ka dhënë edhe freskinë Festivalit të Pranverës janë artistët me materialet e tyre muzikore.

“Është prova e parë që bëjmë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe është më shumë provë teknike për anën vizuale dhe të audios që të jemi komfort në provën gjenerale që do të bëhet nesër dhe pasnesër. Jemi shumë të kënaqur, stafi është i mrekullueshëm, këngët janë shumë të bukura dhe ambienti është shumë i ngrohtë”, u shpreh këngëtari Niki Zaimi.

“Kam pak emocione edhe pse ishte provë është vetë skena që ta jep atë ndjesinë e emocioneve”, tha këngëtarja  Keisi Jazxhi.

Festivali i Pranverës do të sjellë surpriza të shumta, ndërsa në skenën e tij  do të ngjiten jo vetëm artistët pjesëmarrës, por edhe emra legjendarë të muzikës shqiptare, të cilët kanë shkruar historinë e festivaleve në RTSH.

Festivali i Pranverës do të zhvillohet më 6 dhe 7 qershor dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 1, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana 1.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›