“Një mundësi për t’i shërbyer Atdheut”,Forcat e Armatosura fushatë rekrutimi në Kuçovë
Në kuadër të fushatës rekrutuese për ushtarë, detarë dhe ajrorë aktivë, Forcat e Armatosura të Shqipërisë organizuan një “Ditë të Hapur” në qytetin e Kuçovës, duke ofruar një mundësi të veçantë për të rinjtë që kërkojnë më shumë se një profesion, një mision.
Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Qendrën e Personelit të Rekrutimit dhe synoi informimin e të rinjve mbi rolin, sfidat dhe përgjegjësitë që mbart shërbimi në uniformë.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me disiplinën, përkushtimin dhe vlerat që karakterizojnë jetën ushtarake, si dhe me standardet e larta që kërkon kjo rrugë.
Gjatë prezantimeve, u theksua se shërbimi në Forcat e Armatosura nuk është thjesht një karrierë, por një zgjedhje e vetëdijshme për të qenë në vijën e parë të mbrojtjes së vendit.
Të rinjtë u informuan gjithashtu mbi mundësitë reale për zhvillim personal dhe profesional që ofron ushtria, duke e bërë këtë rrugë një investim të vlefshëm për të ardhmen e tyre.
“Shërbimi në Forcat e Armatosura nuk është thjesht një karrierë, është zgjedhje për të qenë në vijën e parë për vendin tënd.”-shkruhet në njoftimin e Forcave të Armatosura.
/rtsh.al/