Një thesar historik në COD – Shqipëria e vitit 1921, në objektivin e Eugène Pittard

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u çel ekspozita “Shqipëria 1921, Eugène Pittard”, një ngjarje kulturore që solli për herë të parë për publikun shqiptar një koleksion të rrallë me vlera të jashtëzakonshme historike dhe vizuale.
Ekspozita prezantoi një pasuri të madhe fotografike, dokumente dhe materiale të tjera të mbledhura nga antropologu dhe akademiku i njohur zviceran Eugène Pittard gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri në vitin 1921.
Fotografitë e ekspozuara ofrojnë një dëshmi autentike të mënyrës së jetesës, veshjeve tradicionale, arkitekturës, riteve dhe përditshmërisë së shqiptarëve të asaj kohe, duke sjellë në dritë një periudhë pak të dokumentuar të historisë sonë.
Ky koleksion, që deri më tani ka qenë pjesë e arkivave në Zvicër, i jep publikut shqiptar mundësinë të rikthehet një shekull pas në kohë përmes një këndvështrimi shkencor dhe estetik unik.
“Është interesant fakti, që një shekull përpara, ky njeri e bëri të vetën Shqipërinë”, u shpreh studiuesi, Luan Rama.
Hapja e ekspozitës u shoqërua me pjesëmarrjen e studiuesve, përfaqësuesve të institucioneve kulturore dhe artdashësve, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm në promovimin dhe ruajtjen e kujtesës historike kombëtare. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në ambientet e COD pranë Kryeministrisë.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/