“Piro Milkani, jeta si një film” – Një portret për mjeshtrin e ekranit shqiptar

Një portret i rrallë për një njeri të rrallë të kinemasë shqiptare. Dokumentari “Piro Milkani, jeta si në film”, u prezantua si një homazh për jetën, pasionin dhe krijimtarinë e një prej figurave më të dashura dhe më të respektuara të artit filmik shqiptar.
Filmi sjell një rrëfim të ndjerë për një artist që i ka dhënë shumë ekranit shqiptar nga pasioni për kamerën në vitet e para të Kinostudios “Shqipëria e Re”, te regjia e filmave që u bënë pjesë e kujtesës kolektive të brezave.
Përmes dëshmive, arkivave filmike dhe intervistave ekskluzive, dokumentari ndjek rrugëtimin artistik dhe njerëzor të Piro Milkanit.
“Filmat e Pirros do ta kenë ndoshta 100 vitet e ardhshme ashtu siç do ta kenë të gjithë regjisorët e tjerë sepse sa herë do të flitet për kinemanë shqiptare këto janë brezi i parë i regjisorëve së bashku me Viktor Gjikën, Dhimitër Anagnostin, Kristaq Mitron dhe shumë të tjerë”, u shpreh Eno Milkani.
Ky dokumentar është më shumë sesa një rrëfim biografik është një udhëtim në kujtesën kolektive, në historinë e një arti që ka shoqëruar e formësuar shikuesin shqiptar për dekada.
“Piro Milkani, jeta si në film” vjen si një dëshmi e gjallë për forcën e kinemasë dhe për dashurinë e një artisti që ia kushtoi jetën ekranit të madh.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/