Një tjetër në pranga për “Urën”, arrestohet në Belgjikë 44-vjeçari shqiptar, pjesë e rrjetit të drogës

Autoritetet në Belgjikë kanë arrestuar një 44-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Gertin Aliu. Ky i fundit ishte në kërkim në kuadër të operacionit “Ura”, operacion i cili goditi disa grupe të fuqishme kriminale që operonin në trafikun ndërkombëtar të drogës nga Amerika Latine drejt Europës dhe Ballkanit.
Aliu dyshohet si një nga anëtarët kyç të grupit kriminal me bazë në Durrës, grup i cili drejtohej nga Adi Çoba dhe Ervis Doçi, ky i fundit i njohur si Visi i Pojës.
Arrestimi i 44-vjeçarit është bërë pas një urdhër-arresti ndërkombëtar lëshuar nga Prokuroria e Barit, e cila e akuzon atë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale.
Ndërkohë, pritet ekstradimi i tij drejt Italisë.
Në dosjen hetimore të operacionit “Ura”, emri i Gertin Aliut del si ndërmjetës mes grupit shqiptar dhe atij italian, duke luajtur një rol kyç në rrjetin e trafikut të drogës mes dy vendeve.
Operacioni i cili u shtri kryesisht mes Italisë dhe Shqipërisë çoi në lëshimin e 52 masave sigurie, 29 prej të cilave u lëshuan nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar.
Në total u goditën anëtarët e tre strukturave kriminale, një me bazë në Durrës dhe dy të tjera në Itali.
Prokurori i SPAK, Vladimir Mara, tha se organizata kriminale kishte një strukturë të mirëorganizuar me tre nëndarje funksionale, ku secila kishte rolin e saj në zinxhirin kriminal që përfshinte trafikun e lëndëve narkotike, shpërndarjen dhe pastrimin e të ardhurave.
Pjesa më e madhe e parave të fituara nga droga silleshin në Shqipëri përmes linjave të autobusëve ku më pas investoheshin në prona të paluajtshme, biznese të ndryshme dhe kriptomonedha./vizionplus.tv