E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërndante kokainë dhe kanabis, arrestohet 39-vjeçari në Maliq

Policia e Korçës ka finalizuar me sukses një operacion të mirëorganizuar për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Pas një muaji hetimesh të thelluara me metoda proaktive, është vënë në pranga një 39-vjeçar, banues në fshatin Libonik të Maliqit, i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Operacioni i koduar “Liboniku” u zhvillua nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë. Gjatë veprimeve në terren, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin me të cilin lëvizte i dyshuari, shtetasi J. B., ku gjatë kontrollit fizik dhe atij në mjet, u gjetën doza të gatshme për shitje me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Kontrolli vijoi edhe në banesën e tij, ku u zbuluan sasi të tjera kokainë, cannabis, një peshore elektronike e përdorur për ndarjen e dozave, si dhe municion luftarak, të gjitha të sekuestruara nga Policia si prova materiale.

Në përfundim të operacionit, 39-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndojnë akuzat “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Burime zyrtare bëjnë me dije se në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë rrjetin e mundshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonë dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›