Një tjetër shqiptar drejt Zvicrës? Lorent Tolaj merr sinjalin e madh

Lorent Tolaj është përfshirë në listën rezervë të Kombëtares së Zvicrës për dy ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve, ndaj Sllovenisë dhe Skocisë. Një zhvillim që e afron sulmuesin 25-vjeçar me përfaqësuesen helvetike, në një moment kur e ardhmja e tij ndërkombëtare ka qenë në qendër të vëmendjes.
Futbollisti i Bristol Cityt ka tërhequr interesimin e Zvicrës, Shqipërisë dhe Kosovës, pasi ka të drejtë të përfaqësojë secilën prej këtyre tri kombëtareve për shkak të prejardhjes familjare dhe formimit të tij futbollistik.
Tolaj është aktivizuar më parë me ekipet e moshave të Zvicrës, nga U-17 deri te U-19, ku ka regjistruar 11 gola në 11 ndeshje. Paraqitjet e tij me Bristol Cityn në Championship kanë shtuar interesimin për të, duke e kthyer në një emër të lakmuar për të ardhmen e repartit ofensiv.
Përfshirja në listën rezervë është një sinjal i rëndësishëm, por nuk përbën ende një ftesë zyrtare në ekipin e parë dhe as një konfirmim përfundimtar të zgjedhjes së tij ndërkombëtare.
Mbetet për t’u parë nëse trajneri Murat Yakin do ta thërrasë në grupin përfundimtar dhe nëse Tolaj do të vendosë përfundimisht të përfaqësojë Zvicrën, duke lënë pas mundësinë për të veshur fanellën e Shqipërisë apo Kosovës.