Një viktimë dhe të paktën 10 persona të lënduar/ Kryebashkiaku Llatja jep detaje për zjarrin në Elbasan: Një 69-vjeçar rezulton i zhdukur

schedule17:32 - 4 Nëntor, 2026
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një pallat në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan, duke shkaktuar një viktimë. Gjithashtu u raportua për të paktën 10 persona të lënduar, mes tyre edhe fëmijë.
Dyshohet se zjarri ka nisur pas shpërthimit të një bombole gazi në katin e tretë të pallatit, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në disa kate të ndërtesës.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, bëri me dije se një 83-vjeçare ka humbur jetën në katin e pestë, ndërsa një 69-vjeçar rezulton ende i pagjetur.
“Zjarri në katin e tretë dyshohet të jetë shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi, por këtë do ta përcaktojnë autoritetet. Një e moshuar 83-vjeçare ka humbur jetën në katin e pestë, gjithashtu një 69-vjeçar nuk është gjendur. Dhjetë persona janë paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pa rrezik për jetën”, deklaroi Llatja.
Ai shtoi se njëri prej sektorëve të pallatit është shpallur i pabanueshëm, për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga zjarri dhe problemeve konstruktive të ndërtesës.
Sipas kryebashkiakut, bëhet fjalë për një pallat të vjetër me tulla silikat, ku ndër vite janë kryer ndërhyrje, por që vijon të paraqesë probleme konstruktive.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkaqet e plota të ngjarjes dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara.
/abcnews.al/
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

