Noka-Ramës: Je i shkëputur nga realiteti, relativizon korrupsionin dhe i ikën përgjegjësisë për skandalet

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit për relativizim të korrupsionit dhe shkëputje nga realiteti.
Në një reagim në rrjetet sociale, Noka shprehet se Rama “nuk di më si të mbrohet”, ndërsa kujton deklaratat e tij të mëparshme për antikorrupsionin dhe perceptimin ndaj korrupsionit në vend.
Sipas numrit dy të PD, kryeministri ka pretenduar se korrupsioni është më i madh në perceptim sesa në realitet dhe se qytetarët nuk e kanë kuptuar rritjen ekonomike.
“Pra, sipas tij, problemi nuk është korrupsioni, por perceptimi i qytetarëve”, thekson Noka.
Reagimi i Nokës:
Narkosi nuk di më si të mbrohet
Një ditë tha se antikorrupsioni është një ilaç më i keq sesa vetë korrupsioni. Një deklaratë të tillë vetëm njëri në Zimbabve guxoi ta bënte.
Një ditë tjetër Edi Rama tha se korrupsioni në vend është më i madh në perceptim sesa në realitet. Domethënë, sipas tij, ju o miq keni ca shkëputje nga realiteti prandaj gjërat ju duken më të mëdha seç janë. Përveç ekonomisë.
Ekonomia qenka rritur, por juve nuk e keni kuptuar që është rritur. Ku ishit ju kur u rrit ekonomia?
Për Edi Ramën korrupsioni nuk është rritur, sepse është rritur ekonomia dhe o njëra o tjetra do rritet.
Një deklaratë të tillë do e kishte zili edhe ai zotëria në Zimbabve. Ekonomistët e botës do shkulnin qimet e kokës po të dëgjonin të tilla teza.
Po nuk mund të prisni të dëgjoni nga Edi Rama ndonjë gjë të tjetër përveç mufkave që ai nxjerr nga goja. Se fundja nuk mund të presësh nga një i papërgjegjshëm të mbajë përgjegjësi për ato që thotë.
Çdo ditë, kryeministri këput ndonjë mufkë dhe mediat që ai sponsorizon ia përcjellin shqiptarëve si lajme të ditës.
Ky njeri është i pari i një ngrehine. Ai nuk po di më si të mbrojë veten prej skandaleve. #AKSHI është përgjegjësi personale e tij. Kudo ku firmosi Bela, urdhëroi #Rama. Në çdo aferë korruptive të ministrave të tij dhe kryebashkiakëve të tij, qëndron vetë ai. Edi Rama është sinonimi i korrupsionit sistemik, i trajtimit të shtetit dhe administratës si pronë private.
Edi Rama nuk e kalon dot lumin me mufka. Lumë i thellë ky.
Të bërit qesharak në këto nivele është një shenjë e fundit të regjimit.