Nuk ka unanimitet për “Ballukun” në Kolegjin e Kushtetueses/Ankimi i qeverisë i kalon Mbledhjes së Gjyqtarëve

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga tre anëtarë, nuk arriti dot të merrte një vendim për t’i kaluar Mbledhjes së Gjyqtarëve ankimin e kryeministrit Edi Rama për rastin e pezullimit të Belinda Ballukut nga posti i zv/kryeministres dhe ministres së energjisë dhe infrastrukturës, në bazë të vendimit të datës 22 nëntor të Gjykatës së Posaçme.
LEXO EDHE: Pezullimi i Ballukut, Rama reagon sërish: Vendimin e ankimova unë, si kryeministërKolegji i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga Sandër Beci (relator), Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, shqyrtoi padinë e bërë nga kryeministri Edi Rama dhe Këshilli i Ministrave për konfliktin e kompetencave mes ekzekutivit dhe Gjykatës së Posaçme AntiKorrupsion por pasi treshja e gjyqtarëve nuk arriti të dilte me një vendim unanim, vendosi të kalojë çështjen në mbledhjen me 8 gjyqtarë të Kushtetueses
Në këtë rast nëse nuk kapet shumica prej 5 votash në favor të mosshqyrtimit, çështja i kalon automatikisht seancës plenare.
“Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare dhe në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore”, thuhet në njoftimin zyrtar të gjykatës.

Sipas rregullores së brendshme të Gjykatës Kushtetuese, “gjyqtarët duhet të marrin 48 orë kohë për njohjen me çështjen para dhënies së vendimit”. Çka do të thotë se vendimi pritet të merret më 4 dhjetor.
Ankimimi i Qeverisë:
Kryeministri Edi Rama nuk e shkarkoi nga detyra Ballukun pas pezullimit nga GJKKO, por i hoqi të drejtën e firmës ndërsa iu drejtua Kushtetueses. Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.
Sipas ankimit, përsa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër.
Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit.
Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar.