Nuk lejojnë ndërtimin e HEC-it, banorët e Kurdarisë në Klos përzënë mjetet e firmës

Banorët e fshatit Kurdari, në Njësinë Administrative Suç të Bashkisë së Klosit, kanë përzënë mjetet e firmës “Doma”, e cila kishte nisur punimet për ndërtimin e një HEC-i në “Përroin e Lusës”.
Sipas banorëve, rreth orës 06:00 të mëngjesit të kësaj të premteje ata kanë konstatuar një mjet duke punuar në përrua. Menjëherë janë mbledhur dhe kanë përzënë drejtuesin e mjetit bashkë me fadromën.
Rezistenca e banorëve të Kurdarisë vijon prej më shumë se tetë muajsh, duke mos lejuar firmën të zhvillojë punimet. Ata shprehen se futja e ujit në tubacione do të thotë vdekje e jetës në fshat, ndaj janë të vendosur të mos lejojnë realizimin e këtij projekti.
Banorët i bëjnë thirrje kompanisë që të mos rikthehet më, si dhe institucioneve shtetërore të ndalin atë që ata e quajnë një masakër ndaj një fshati me prodhimtari të lartë bujqësore.
“Ka një vit që na lodh firma dhe do mbajë përgjegjësi. Ajo është përrua dhe nuk është lum me bo hidrocentrale. Na thotë pastaj nuk ju marrim ujin juve, po ca na ngelet neve? Ai po na merr jetën. Këtu jetojmë ne, jo me na marr jetën”
“Kur firma filloi punën, ne u ngritëm menjëherë, nuk dol të lejojmë punimet. Ka 8 muaj që ne protestojmë në mënyrë paqësore, pa dhunë që të mos na merret uji i fshatit.” thanë hanë disa nga banorët
Protestat e vazhdueshme të banorëve të Kurdarisë janë shoqëruar me bllokimin e hyrjes së kompanisë në kantier. Ata kanë ruajtur zonën ditë e natë, të ndarë në disa grupe, dhe sa herë që konstatonin punonjës të kompanisë, i gjithë fshati mblidhej menjëherë.
/rtsh.al/