E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB, mbledhje urgjente për Venezuelën, Guterres: Fuqia e ligjit duhet të mbizotërojë. SHBA: S’ishte pushtim, por veprim kundër terrorizmit

Këshilli i Sigurimit i OKB-së u mblodh në një seancë urgjente në Nju Jork për të diskutuar krizën e Venezuelës, pas arrestimit nga SHBA të presidentit Nicolás Maduro.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u bëri thirrje vendeve anëtare që të respektojnë “sovranitetin kombëtar, pavarësinë politike dhe integritetin territorial” të Venezuelës, duke paralajmëruar se përdorimi i forcës nga SHBA ka krijuar një “precedent të rrezikshëm për rendin botëror”.

Përfaqësuesi i SHBA-së mbrojti operacionin duke e cilësuar si një veprim kundër terrorizmit.

“Nuk ishte pushtim, ishte arrestimi i një terroristi që ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe ka kërcënuar stabilitetin rajonal”, tha përfaqësuesi i SHBA.

Ambasadori i Rusisë e quajti ndërhyrjen amerikane “shkelje flagrante të Kartës së OKB-së” dhe paralajmëroi se veprime të tilla minojnë paqen globale.

Përfaqësuesi i Francës kërkoi dialog politik gjithëpërfshirës në Venezuelë, duke theksuar se “populli venezuelian ka nevojë për zgjidhje demokratike, jo për përshkallëzim të krizës.”

Mbretëria e Bashkuar shprehu shqetësim për pasojat humanitare dhe bëri thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut.

OKB-ja paralajmëroi se situata mund të sjellë destabilizim të mëtejshëm në Venezuelë dhe rajon, duke ndikuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Guterres theksoi se “fuqia e ligjit duhet të mbizotërojë mbi ligjin e forcës”, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të angazhohen në dialog demokratik dhe solidaritet ndërkombëtar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›