E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSBE, angazhim për forcimin e mbrojtjes së të dhënave për kufij më të sigurt

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Zbatimi i Ligjit të ri për Përpunimin e Informacionit të Udhëtimit ishte në qendër të diskutimeve në trajnimin e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbi mbrojtjen e të dhënave për Njësinë Shqiptare të Informacionit të Pasagjerëve (PIU).

Aktiviteti mblodhi përfaqësues nga PIU, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe ekspertë holandezë, të cilët ndanë praktikat më të mira ndërkombëtare dhe përvoja nga Holanda.

Diskutimet u përqendruan te zbatimi i Ligjit të ri për Përpunimin e Informacionit të Udhëtimit, te Direktivës së Bashkimit Europian për Mbrojtjen e të Dhënave dhe sfidat praktike për të siguruar një administrim të dhënash që është sa më i sigurt dhe i përgjegjshëm.

Aktiviteti u përmbyll me një vizitë studimore në ambientet e PIU-së shqiptare pranë Aeroportit Ndërkombëtar i Tiranës Nënë Tereza, ku pjesëmarrësit panë nga afër zbatimin e praktikave të mbrojtjes së të dhënave në një mjedis operacional.

Prezenca e OSBE bën të ditur se, kjo nismë mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar sigurinë kufitare dhe për të përafruar praktikat kombëtare me standardet e Bashkimit Europian mbi privatësinë, sigurinë e informacionit dhe të drejtat themelore.

/gj.m/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›