E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSBE trajnim mbi hetimin e pastrimit të parave nëpërmjet kriptomonedhave

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një trajnim dyditor në Tiranë, me synim forcimin e kapaciteteve të agjencive ligjzbatuese për të luftuar pastrimin e parave nëpërmjet kriptomonedhave.

E drejtuar nga ekspertë të organeve ligjzbatuese italiane, sikurse Guardia di Finanza, Policia e Shtetit Italian dhe Arma e Karabinierëve, kjo veprimtari u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Ndërlidhëse të Policisë Italiane dhe ekspertin e Guardia di Finanza për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi pranë Ambasadës italiane në Tiranë.

Gjatë trajnimit, prokurorë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Prokuroria e Përgjithshme, së bashku me anëtarë të agjencive të ndryshme ligjzbatuese në Shqipëri, duke përfshirë Policinë e Shtetit Shqiptar, Byronë Kombëtare të Hetimit, Agjencinë e Inteligjencës Financiare të Shqipërisë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, përfituan trajnim praktik dhe njohuri të thelluara mbi metodat dhe mjetet hetimore thelbësore për gjurmimin dhe parandalimin e skemave të pastrimit të parave që përfshijnë kriptomonedhat.

Ky trajnim i specializuar u ngrit mbi bazën e përpjekjeve të mëparshme nga ana e Prezencës së OSBE-së, duke përfshirë këtu një takim shkëmbimi përvojash të organizuar nga Prezenca në dhjetor të vitit të kaluar në Ambasadën italiane në Tiranë, takim i cili mblodhi me sukses prokurorë dhe hetues nga agjencitë ligjzbatuese dhe sistemi i drejtësisë në Shqipëri, si dhe ekspertë nga agjencitë italiane ligjzbatuese për të diskutuar praktikat më të mira për adresimin e çështjes komplekse dhe në zhvillim të shpejtë të krimeve financiare që përfshijnë monedhat digjitale.

Kjo nismë pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare dhe mbështetjen e bashkëpunimit ndërkufitar me autoritetet italiane, përfshirë këtu Ambasadën italiane në Tiranë, për një luftë sa më efikase kundër pastrimit të parave dhe krimeve të tjera financiare në epokën digjitale.

1 nga 13

/gj.m//r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›