E Martë, 3 Nëntor 2026

Osmani: Bukoshi do të kujtohet përherë për fuqizimin e kauzës së Kosovës së lirë

PRISHTINË, 10 qershor /ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Bukoshi për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi.

Osmani e kujtoi Bukoshin si “një mjek me vizion dhe një burrë shteti me përkushtim të pashoq”

“Dr. Bukoshi, ish-kryeministër në ekzil, do të kujtohet përherë për kontributin e tij për fuqizimin e kauzës së Kosovës së lirë e të pavarur në kohët më të rënda për popullin tonë. Kontributi i tij si mjek, intelektual dhe udhëheqës politik ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e rrugës sonë drejt lirisë dhe pavarësisë”, shkroi Osmani në Facebook.

Ngushëllime ka shprehur edhe ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga e cila tha se” përkushtimi i tij për lirinë dhe shtetndërtimin do të mbetet pjesë e pandashme e historisë sonë kombëtare”.

Bukoshi ka vdekur në moshën 78 vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Bujar Bukoshi, i cili ka lindur më 1947 në Suharekë, u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Beogradit. Më pas, ai punoi si mjek në Suharekë.

Bukoshi ishte një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Më 1989 themeloi Këshillin e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ).

Bujar Bukoshi ishte kryeministër i Qeverisë së përkohshme të Kosovës ne ekzil, nga viti 1991 deri në vitin 2000.

Bukoshi u zgjodh deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, më 2007. Ai nënshkroi edhe Deklaratën e Pavarësisë.

Gjithashtu, ishte zëvendëskryeministër i Kosovës në qeverinë Thaçi nga viti 2011 deri në vitin 2014.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›