SLLOVAKI – Fico vlerëson vendet autokrate për efikasitetin ekonomik

BRATISLAVË, 10 qershor /ATSH-DPA/ – Gjatë një vizite në Uzbekistan, kryeministri sllovak Robert Fico sugjeroi dje që shtetet autokrate mund të jenë më efikase ekonomikisht sesa demokracitë dhe bëri thirrje për një rivlerësim të modelit demokratik të Evropës.
Fico tha se ”Evropa duhet të marrë në konsideratë reformimin e sistemit të saj të qeverisjes bazuar në zgjedhje të lira për të mbetur konkurruese globalisht”.
Ai vlerësoi vende si Uzbekistani, Kina dhe Vietnami për aftësinë e tyre për të vepruar më me vendosmëri në çështjet ekonomike.
I shtyrë nga gazetarët, Fico sqaroi se nuk po bënte thirrje për t’i dhënë fund demokracisë, por argumentoi se përfshirja e shumë partive politike në vendimmarrje dobëson aftësinë e një shteti për të vepruar.
“Nëse ke 100 parti politike, nuk mund të konkurrosh të tjerët”, tha ai.
“Nëse një qeveri përbëhet nga katër parti politike, sërish nuk mund të konkurrosh”, theksoi Fico.
Fico, i cili u rikthye në pushtet në vitin 2023 për një mandat të katërt, është përballur me protesta masive në muajt e fundit, me kritikët që e akuzojnë atë për tendenca autokrate dhe ndjekjen e një politike të jashtme proruse.
Ai reagoi duke thënë se ”opozita liberale po përpiqet të përmbysë rezultatet e zgjedhjeve përmes presionit të rrugës”./ a.jor.