Celibashi: Do të rinumërohen 610 301 vota, procesi zgjat 18-20 ditë

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha sot gjatë një konference për mediet, se pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) për rinumërimin e votave për qarqet Tiranë dhe Fier, pritet që të rinumërohen 610 301 vota.
Kryekomisioneri Celibashi tha se ky proces do të realizohet nga stafi i KQZ-së, në dallim nga procesi i numërimit pas përfundimit të votimit dhe nxjerrjes së rezultatit, proces ky u realizua nga numërues dhe komisionerë të caktuar nga partitë politike.
“Në këtë rast gjithë procesi do zhvillohet nga stafi i KQZ-së, pra partitë politike nuk kanë asnjë lloj angazhimi në këtë proces. KAS ka ardhur në këtë vendimmarrje me kërkesë të dy anëtareve të këtij organi, pasi janë vlerësuar pretendimet e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve për deputetë, si edhe prej dokumentacionit të dorëzuar dhe pamjeve filmike në dispozicion. E them këtë për të evidentuar faktin që sistemi i administrimit, mbikëqyrjes së procesit të numërimit dhe tabelimit të rezultatit të zgjedhjeve ka funksionuar siç do duhej të funksiononte sepse bazuar në ato të dhëna ju është krijuar mundësia kandidatëve të ndryshëm për të ngritur pretendime. Ky proces është i gjithi kompetencë e KAS, është ai që do vendosë mbi çdo element të rinumërimit”, tha ai.
Sipas Celibashit, administrata e KQZ-së, do të realizojë nga pikëpamja teknike procesin e rinumërimit të votave për qarkun Tiranë dhe Fier.
“Bëhet fjalë për rinumërimin e rreth 610 mijë e 301 vota për të dy qarqet e Tiranës dhe të Fierit. Procesi parashikojmë të fillojë të hënën ose të martën e javës që vjen. Është dashur ditë për ta përgatitur këtë proces, më shumë se një javë, pasi kërkon një përgatitje logjistike dhe njerëzore gati të ngjashme me atë të numërimit dhe vlerësimit të votave pas përfundimit të procesit të votimit. Në një kohë rekord ja kemi dalë që të kemi gati gjithë infrastrukturën dhe kapacitetet njerëzore për ta filluar këtë proces”, u shpreh Celibashi.
Kreu i KQZ-së, pohoi gjatë se procesi do të zhvillohet në ambientet e pallatit të sportit “Farie Hoti”, për shkak se në Parkun Olimpik do të zhvillohet një kampionat evropian volejbolli dhe u vlerësua një opsion tjetër.
“Pritet vetëm formalizimi, por 99.9% do të zhvillohet te “Farie Hoti”. 24 ose 25 grupe numërimi të përbërë nga 2 anëtare të administratës së KQZ-së do të jenë pjesë e procesit. E gjithë procedura do të marrë për Tiranën dhe Fierin ndërmjet 18-20 ditë. Do duhen kaq shumë ditë, pasi mjafton të kujtojmë që për qarkun e Tiranës procesi i numërimit dhe vlerësimit të fletëve pas 11 majit ka angazhuar 208 grupe numërimi, dhe për qarkun e Fierit 46 tavolina ose 92 grupe numërimi që shkojnë gati 150 tavolina dhe duke qenë se kemi gjashtë herë më pak tavolina, llogaritet që na duhet gjashtë herë më shumë kohë se u është dashur numëruesve të partive për të numëruar, vlerësuar votat dhe për të bërë tabelimin e rezultatit”, tha Celibashi.
/a.f/