Osmani në Tiranë: BE të heqë masat ndaj Kosovës

TIRANË, 16 maj/ATSH-Maela Marini/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbërriti sot në samitin e Komunitetit Politik Europian në Tiranë ku u prit nga kryeministri Edi Rama.
Në një prononcim për mediet, Osmani vlerësoi se ky është një samit jashtëzakonisht i rëndësishëm i lidhur me jo vetëm shtetet e BE-së por edhe gjithë vendet e tjera që aspirojnë të anëtarësohen në BE.
“Meqënëse ky samit mbahet në Ballkanin Perëndimor, pikërisht këtu në Tiranë, për të cilin dua të uroj kryeministrin Rama, është shumë me rëndësi që në fund të samitit të dalim edhe me një plan konkret se si do të ecin para shtetet tona drejt BE-së”, tha ajo.
Për sa i përket Republikës së Kosovës, Osmani u shpreh se përkundër faktit që jemi 100% të linjëzuar me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE-së, fatkeqësisht ka një bllokadë totale nga ana e BE-së.
“Nuk vlerësohen reformat tona, nuk vlerësohet puna jonë, nuk vlerësohet fakti se ne jemi 100% në përputhje me politikat e tyre edhe për sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe sa a i përket politikave të tjera. Për fat të keq po jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë dhe më shumë po hapet dera për ata që po shkojnë në Moskë te Putin se sa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër përveç BE-së”, tha ajo.
Osmani u shpreh se më shumë se sa kërkesë, Kosova ka shpresë nga ky Samit.
“Kërkesat tona do të jenë të zëshme jo për shkak të ndonjë arrogance apo politike, por për shkak se e meritojmë dhe ne kërkojmë që ky proces të jetë i bazuar në merita. Për sa i përket konkluzioneve zakonisht samiti nuk është se ka konkluzione të forta politike apo veprime politike, megjithatë që është një mundësi e mirë për ne që në një forum ku jemi të barabartë të bëjmë kërkesa”, tha ajo.
Osmani theksoi se ka më shumë pritshmëri se do të ketë më shumë balanca nga ana e BE-së.
“Siç e dini Kosova është nën masa, Serbia nuk është dhe kjo e prish balancën e dialogut. Kam më shumë shpresë që nga Përfaqësuesja Kalas dhe përfaqësuesi i ri për dialogun do të shtyhet më shumë përpara heqja e masave dhe trajtimi i barabartë i palëve”, tha ajo.
E pyetur mbi situatën e brendshme në Kosovë, Osmani inkurajoi liderët politikë që për interes të qytetarëve dhe të Kosovës të krijojnë institucionet e reja sa më parë të jetë e mundur.
Megjithatë ajo theksoi se Kosova e Kryenegociatorin e saj, i cili ka kompetenca që të vazhdojë nëse kërkohet nga BE që të ketë një takim në nivel kryenegociatorësh.
Ndërkohë, Osmani theksoi se nga Shqipëria pret përkrahjen ndaj Kosovës në disa aspekte.
“E para që të vazhdojë të jetë e zëshme siç ka qenë kryeministri Rama deri tani për heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës. Dhe e dyta që të flasë sa më shumë me shtetet që nuk e kanë njohur akoma Kosovën, në mënyrë që ato ta bëjnë një gjë të tillë sepse mosnjohja nga shtetet anëtare të BE-së po e dëmton shumë Kosovën”, tha ajo.