Rama: Mos të flasim vetëm për armatim, t’u japim të rinjve motiv për të ndërtuar

TIRANË, 16 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, theksoi se duhet t’i japim të rinjve të Europës dhe bizneseve një motiv të fortë për të ndërtuar në tokën europiane, se sa të flasim vetëm për armë dhe armatim.
“Në këta kufij të rinj le t’u japim të rinjve të Europës, bizneseve të reja, një arsye më të mirë për të qëndruar se sa të flasim vetëm për armë dhe riarmatim. Dhe le t’u japim një motiv të fortë për të ndërtuar, për të ëndërruar në tokën europiane, në vend që t’i hedhin sytë e të shkojnë larg për të ndjekur ëndrrat e tyre”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se “beteja jonë nuk mund të ketë të bëjë vetëm me qëndresën ndaj asaj që mund të na bëjnë të tjerët, por duhet të jetë po kështu diçka që lidhet me atë që ne mund të bëjmë për veten tonë, fëmijët tanë dhe për Europën tonë”.
“Nuk ka të bëjë vetëm me qëndresën kundër shkatërrimit, kjo është afërmendsh, por ka të bëjë me kurajon për të ndërtuar, për të ringjallur urtinë e filozofisë sonë e për të forcuar besimin në kapacitetet tona njerëzore të arsyetimit”, shtoi ai.
“Kur Donald Trump tha se: ‘Zoti e shpëtoi nga plumbi sepse i plotfuqishmi kishte një plan për Amerikën’, tha vetëm gjysmën e së vërtetës. Gjysma tjetër është se Zoti kishte një plan edhe për Europën. Nuk mund të ishte më e qartë se sa kaq”, shtoi Rama.
Sipas tij, Europa edhe njëherë ka një mundësi të dhuruar prej Zotit për të rishpikur veten.
“Dhe të sigurohemi se rrugëtimi i Europës, i yni në këtë rast, nuk është një udhëtim rrëmbimi, por një udhëtim kthimi në shtëpi. Një shtëpi që gëlon me ëndrra për të ardhmen e çliruar nga mitet e së shkuarës e pa asnjë dyshim e mbrojtur mirë. Por pa dyshim një shtëpi që nuk ngjan me formën e armëve, por me imagjinatën e fëmijëve tanë dhe etërve tanë themelues, një vizion që na takon ne ta sjellim në jetë”, tha kryeministri Rama.