PARIS – Macron: Trump më afër se kurrë me Ukrainën

PARIS, 25 shtator /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron beson se presidenti amerikan, Donald Trump është tashmë më afër se kurrë me Ukrainën dhe shpreson se kjo gjë do të shtojë presionin ndaj Rusisë.
“Ai ka vënë re seriozitetin e evropianëve dhe angazhimin e tyre. Ai ka vënë re gjithashtu heroizmin dhe aftësinë e rezistencës së ukrainasve dhe ushtrisë së tyre”, deklaroi presidenti francez në një intervistë me kanalin televiziv te Arabise Saudite ‘’Al-Arabiya’’.
“Dhe në këtë kontekst, unë mendoj se ai është më afër se kurrë me Ukrainën dhe evropianët”, shtoi ai.
“Dhe shpresoj që kjo gjë ta shtojë presionin mbi Rusinë dhe të nxisë ndalimin e luftimeve, kthimin e negiociatave dhe ndërtimin e një të ardhmeje për ta dhe për ne të gjithë”, theksoi ai sërish.
Pasi i dha përparësi dialogut me presidentin rus, Vladimir Putin dhe kritikoi ashpër homologun e tij Volodimir Zelensky, Donald Trump krahasoi të martën Rusinë me një “tigër prej letre” dhe sugjeroi se Ukraina mund ta fitonte luftën kundër ushtrisë ruse.
Në shkurt të këtij viti, ai i kishte thënë Volodymyr Zelenskyt se nuk kishte asgjë në dorë për sa i përket këtij konflikti të shkaktuar nga pushtimi rus në shkurt të vitit 2022./ /f.k/ /os/ a.jor.