E Martë, 3 Nëntor 2026

PARIS – Negociatorët e SHBA-së dhe BE-së diskutojnë tarifat tregtare

PARIS, 4 qershor /ATSH/- Negociatorët tregtarë të SHBA-së dhe BE-së kane nisur sot në Paris – negociatat për një zgjidhje të mosmarrëveshjes së tensionuar tarifore – me pasoja ekonomike globale midis dy fuqive ekonomike globale, sipas AP.

Negociatori kryesor i Bashkimit Evropian për Tregtinë, Maros Sefcovic u takua sot me homologun e tij amerikan, përfaqësuesin e Tregtisë të SHBA-së Jamieson Greer, gjatë një takimi të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), në Paris.

“Jemi duke avancuar në drejtimin e duhur, me ritmin e duhur”, tha Sefcovic në një konferencë për shtyp.

Ai tha se takimet teknike të vazhdueshme midis negociatorëve të BE-së dhe SHBA-së në Uashington do të pasohen së shpejti nga një videokonferencë midis tij dhe Greer –  për të vlerësuar progresin dhe për të përcaktuar rrugën përpara.

Bruksel dhe Uashington nuk ka gjasa të arrijnë një marrëveshje thelbësore tregtare në Paris.

Çështjet që i ndajnë janë shumë të vështira për t’u zgjidhur shpejt.

Presidenti Donald Trump ka shprehur shpesh zemërimin e tij – për deficitin e vazhdueshëm tregtar të SHBA-së me Bashkimin Evropian – i cili kishte arritur një rekord prej 161 miliardë dollarësh vitin e kaluar, sipas Departamentit Amerikan të Tregtisë.

Trump ka fajësuar hendekun midis asaj që SHBA-ja shet dhe asaj që blen nga Evropa për praktikat e padrejta tregtare – dhe shpesh ka kritikuar taksën prej 10% të BE-së ndaj makinave të importuara.

Tatimi i SHBA-së ishte 2,5% derisa Trump e rriti atë në 25% në prill.

BE-ja ka argumentuar se blerjet e saj të shërbimeve amerikane, veçanërisht në sektorin e teknologjisë, pothuajse e kapërcejnë deficitin.

Pasi tarifat surprizë të administratës Trump, javën e kaluar mbi çelikun – tronditën tregjet globale dhe ndërlikuan negociatat e vazhdueshme dhe më të gjera të tarifave midis Brukselit dhe Uashingtonit, BE-ja tha të hënën se po përgatitej për “kundërmasa” ndaj SHBA-së.

BE-ja i ka ofruar SHBA-së një marrëveshje “zero me zero” – në të cilën – të dyja palët i japin fund tarifave ndaj mallrave industriale, përfshirë automobilat.

Trump e ka hedhur poshtë këtë ide, por zyrtarët e BE-së thonë se është ende në tryezën e bisedimeve.

BE-ja mund të blejë më shumë gaz natyror të lëngshëm dhe artikuj mbrojtës nga SHBA-ja, dhe të ulë taksat për makinat – por nuk ka gjasa të heqë dorë nga thirrjet për të hequr taksën e vlerës së shtuar – e cila është e ngjashme me taksën ndaj shitjeve.

“Kemi ende disa javë për të zhvilluar këtë diskutim dhe negocim”, tha sot ministri Francez i Tregtisë, Laurent Saint-Martin në Paris – përpara takimit të OECD-së.

“Nëse diskutimet dhe negociatat nuk kanë sukses, Evropa është e aftë të ndërmarrë kundërmasa edhe për produktet dhe shërbimet amerikane”, shtoi ai.

Trump dhe këshilltarët e tij i konsiderojnë TVSH-të ndaj produkteve amerikane – si proteksionizëm të padrejtë.

Por, TVSH-të vendosen në nivel kombëtar, jo nga BE-ja, dhe zbatohen njësoj si për produktet vendase ashtu edhe për ato të importuara, kështu që ato tradicionalisht nuk janë konsideruar si barrierë tregtare.

Ka pak mundësi që qeveritë të rishikojnë sistemet e tyre tatimore për të qetësuar Trump.

Po kështu, evropianët ka të ngjarë të kundërshtojnë kërkesat e SHBA-së për të hequr rregulloret e ushqimit dhe sigurisë – që Uashingtoni i sheh si barriera tregtare.

Këto përfshijnë ndalimet për mishin e viçit të rritur me hormone, pulën e kloruar dhe ushqimet e modifikuara gjenetikisht. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›