E Hënë, 2 Nëntor 2026

PARIS – Wadephul: Irani të angazhohet në negociata të besueshme bërthamore me BE-në dhe SHBA-në

PARIS, 18 korrik /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul i ka bërë thirrje Teheranit të bashkëpunojë plotësisht me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe të angazhohet në negociata të besueshme me BE-në dhe SHBA-në mbi programin e saj bërthamor.

“Ne presim negociata të besueshme me BE-në dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka mënyrë tjetër për të zgjidhur këtë çështje”, tha sot Wadephul gjatë takimit me homologun e tij francez, Jean-Noël Barrot në Paris.

Irani ka kritikuar kërcënimet e BE-së për të vendosur sanksione, duke i quajtur ato të papërgjegjshme.

“Parisi, Londra dhe Berlini duhet të lënë mënjanë politikat “e lodhura” të kërcënimit dhe presionit”, shkroi sot ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi në platformën X.

Të ashtuquajturat vende E3 – Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe – e kanë kërcënuar Iranin me rivendosjen e sanksioneve të rrepta nëse nuk bëhet progres konkret në marrëveshjen e re bërthamore, në muajt e ardhshëm.

Afati i marrëveshjes së Vjenës së vitit 2015 mbi programin bërthamor të Iranit – përfundon zyrtarisht këtë tetor.

Si bashkënënshkruese, tre vendet evropiane kanë mundësinë të përdorin të ashtuquajturin “mekanizëm rikthimi” për të rivendosur sanksionet e mëparshme dhe më të rrepta të OKB-së kundër Iranit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kohët e fundit zhvilluan disa raunde negociatash, përpara se këto të ndërpriteshin nga lufta Iran-Izrael, në të cilën SHBA-ja sulmoi gjithashtu objektet bërthamore iraniane.

Aktualisht, nuk ka një datë specifike për negociata të reja. Qëllimi ishte të kufizohej programi bërthamor i Teheranit – në mënyrë që të parandalohej prodhimi i armëve bërthamore. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›