PD: Investimet nuk penguan përmbytjet nga lumi Seman

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Partia Demokratike deklaroi sot se përmbytjet nga lumi Seman në Fier rrëzuan propagandën e qeverisë në lidhje me investimet për mbrojtjen e tokave bujqësore dhe rehabilitimin e argjinaturës së majtë të lumit Seman.
Në një deklaratë për mediet, zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, tha se sipas qeverisë në qarkun e Fierit janë rehabilituar rreth 30 kilometra argjinatura gjatë pesë viteve të fundit me një fond prej 6 milionë eurosh.
Por sipas Vangjelit, realiteti flet ndryshe pasi “reshjet e shumta dhe rritja e prurjeve të lumit Seman kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në disa zona, pas çarjes së argjinaturës në disa segmente”.
“Uji ka vërshuar në tokat bujqësore të disa fshatrave përreth, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa gjatë natës lumi Seman ka përmbytur rreth 20 banesa në fshatin Hasturkas, në Libofshë”, tha Vangjeli.
Vangjeli tha se është koha që institucionet e drejtësisë të veprojnë dhe se SPAK duhet të hetojë.
/m.q/j.p/