E Diel, 1 Nëntor 2026

Sybiha: Shqipëria partner kyç, vlerësojmë mbështetjen e palëkundur ndaj Ukrainës

TIRANË, 15 janar/ATSh-Maela Marini/ Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha u shpreh sot se Shqipëria mbetet partner kyç në rajon dhe shumë aktiv në formatin Ukrainë-Europa Juglindore.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kiev me homologen shqiptare, Elisa Spiropali, ministri Sybiha vlerësoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës.

Ai kujtoi se një vit më parë Shqipëria hapi ambasadën e saj në Ukrainë dhe kjo është ambasada e parë dhe e vetme që është hapur pas fillimit të invazionit masiv rus.

Ky sipas tij, është një tregues i mbështetjes, solidaritetit dhe besimit të cilin Ukraina e vlerëson shumë.

“Sot diskutuam një gamë të gjerë çështjesh mbi bashkëpunimin dypalësh, mbi rrugën tonë të përbashkët drejt anëtarësimit në BE. Shqipëria mbetet partneri ynë kyç në këtë rajon dhe një partner shumë aktiv në formatin Ukrainë-Europa Juglindore”, u shpreh ai.

Sybiha informoi për situatën në fushë betejë si dhe për pasojat që po përjeton Ukraina pas goditjeve në sektorin energjetik. “Ndajmë të njëjtën bindje se Moska duhet të detyrohet drejt paqes përmes rritjes së presionit”, u shpreh ai.

Ai vlerësoi gjithashtu Shqipërinë për mbështetjen e saj të palëkundur në kundërshtimin e agresionit rus, si dhe kryeministrin Edi Rama për qëndrimin e tij të fortë gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.

“Ju falënderojmë gjithashtu për pjesëmarrjen tuaj në Koalicionin e Vullnetmirëve, për përpjekjet për kthimin e fëmijëve ukrainas dhe për angazhimin për rikthimin e një paqeje të drejtë në vendin tonë”, u shpreh ai.

Ministri Sybiha u shpreh se Ukraina mbështet vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe regjimin e vizave për qytetarët e e saj.

“Do t’i kushtojmë vëmendje mbajtjes së përgjegjësisë që ka Rusia, ngritjes së një tribunali special për krimin e agresionit, si dhe të mekanizmave të tjerë të drejtësisë në bashkëpunim me Shqipërinë. Ukraina dhe Shqipëria janë të bashkuara nga vlerat tona të përbashkëta europiane dhe jemi partnerë në këtë rrugë drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh ai.

Ndaj, ministri Sybiha siguroi se do të vazhdohet me këmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh.

“Kemi një potencial të madh për t’iu kundërvënë kërcënimeve hibride të Rusisë, veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jam dakord të vazhdojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin në fushat e sigurisë, fushën humanitare dhe atë ekonomike, përfshirë edhe formatin Ukrainë-Europa Juglindore. Ne vlerësojmë komunitetin shqiptar në Ukrainë që jeton më së shumti në Odesa dhe ju falënderojmë për mikpritjen e bashkatdhetarëve tanë që u larguan drejt vendit tuaj pas agresionit rus, si dhe për lehtësimin e përpjekjeve për riatdhesimin e fëmijëve tanë ukrainas. Do të vazhdojmë të forcojmë lidhjet mes Ukrainës dhe Shqipërisë”, u shpreh ai.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›