PD-PS përplasje për “Territorialen” në Kuvend

TIRANË, 3 shkurt /ATSh/ Kuvendi po zhvillon sot seancën plenare të radhës. Punimet nisën në orën 10:00. Në fokus të seancës plenare është kërkesa e deputetëve të Partisë Socialiste për disa ndryshime në përbërjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën e Territoriales, si dhe interpelanca me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, e kërkuar nga deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Lidhur me ndryshimet e propozuara nga mazhoranca, opozita kërkoi mos kalimin e tyre në seancë plenare.
Në nisje të seancës plenare, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh se në Konferencën e Kryetarëve nuk është marrë një vendim për përfshirjen e këtij vendimi në seancën e sotme plenare.
“Diçka e pavotuar në Konferencën e Kryetarëve nuk mund të futet për votim në seancën plenare”, tha Zhupa.
Zhupa siguroi se PD ka qenë gjithmonë e gatshme për t’i qëndruar vendimit që ka votuar në Kuvend për të bërë bashkërisht reformën territoriale, ndërsa kërkoi edhe nga mazhoranca që t’i qëndrojë këtij vendimi.
Duke marrë fjalën në seancë, bashkëkryetari demokrat i komisionit të posaçëm të reformës administrativo-territoriale, Luçiano Boçi u shpreh se “nuk ka pasur marrëveshje në Konferencën e Kryetarëve”.
“Është dhënë vetëm një ultimatum për një mbledhje të thirrur nga komisioni i reformës territoriale. Kur ka një kryetar, sipas rregullores mbledhja thirret përmes dakordësisë së kryesisë së komisionit”, u shpreh Boçi, duke kërkuar që ndryshimet e propozuara të mos votohen gjatë seancës plenare në Kuvend.
Lidhur me pretendimet e opozitës, Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se opozita nuk është ende e qartë lidhur me pjesëmarrjen ose jo në komisionin e posaçëm të reformës administrativo-territoriale.
Duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës, Balla tha se mazhoranca është e gatshme të presë deri në mbrëmje, kur edhe do të votohet, për një vendim nëse do të marrin apo jo pjesë rregullisht në mbledhjet e komisionit.
Balla kërkoi qartësi dhe përgjegjësi institucionale nga opozita, ndërsa u shpreh se shumë vendime të opozitës i kanë mësuar përmes medies.
Sipas tij, opozita ka ndryshuar qëndrim brenda një dite, duke lënë të paqartë nëse është tërhequr apo jo nga bojkoti i komisionit.
Kuvendi në seancë plenare - Foto: Andrin Hoxha 1 nga 3vijon…
/m.q/j.p/r.e/