E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Votoni projektligjet tona. PS: Deputetët e opozitës kanë braktisur komisionet

Parlamenti pritet të mblidhet edhe 4 herë para se të shpërndahet për t’i hapur rrugë konstituimit të parlamentit të ri në datën  10 shtator.

Në këto  seanca, një mbledhje është vetëm për problemet që deputetët hasin në zonat ku janë zgjedhur dhe në 3 seanca do të duhet të miratohen të gjitha ligjet që kanë mbetur pa votuar nga kjo legjislaturë në total 115 projekt-ligje, projekt-marrëveshje e projekt-rezoluta.

Mes tyre 63 janë ligje të propozuara nga deputetët e opozitës dhe PD kërkoi që ato të kalojnë në diskutim në këto javë të mbetura.

“Edhe pse jemi një muaj nga mbyllja e punimeve, mbani të kyçur plot 60 nisma të deputetëve të kuvendit të Shqipërisë. Sipas Kushtetutës, një nga funksionet kryesore të deputetit apo përgjegjësia e tij kryesore ka të propozojë nisma legjislative”, tha Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.

Por mazhoranca i kujtoi opozitës se pas 11 majit as nuk shkon në komisione për të diskutuar nismat ligjore, duke e bërë të qartë se prioritet për PS është miratimi i rreth 20 akteve që kanë ardhur nga qeveria.

“Kemi shumë punë para, janë rreth 20 akte për tu miratuar. Më lejoni t’iu kujtoj që Kuvendi nuk nis dhe mbaron në këtë foltore, nuk zhvillohet vetëm të enjten por gjatë gjithë javës. Ju nuk jeni në komisione dhe pastaj kërkoni pse nuk shtohen pr.ligjet. Ejani ti shtojmë të gjitha, por dikush duhet të punojë, dikush duhet të vijë në mbledhje”, tha Niko Peleshi, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.

Para se parlamenti të mbyllet para deputetëve do të raportojnë edhe institucionet e pavarura mes të cilëve edhe drejtuesi i Spakut Altin Dumani i cili do të jetë në komisionin e ligjeve në 24 qershor dhe javën e  parë të korrikut në seancë plenare./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›